Futboll

Manchester United piketon zëvendësuesin e Mourinho

Manchester United në këtë fillim sezoni është në një krizë të cilës duket se nuk po gjendet fundi. “Djajtë” janë shumë larg pritshmërive në atë që japin në fushën e lojës dhe duket se as në këtë sezon nuk do të jetë pretendentë në luftën për titullin e Premier League.

Nuk është për t’u çuditur kjo formë e Manchester United nëse do të kemi parasysh atmosferën e nderë që është në dhomat e zhveshjes këto javë. Trajneri Hose Mourinho është në konflikt të hapur me disa futbollistë kryesorë të skuadrës. Por më e theksuar përplasja e Mourinho është me mesfushorin francez, Poul Pogba.

Dhe për këto shkaqe posti i Hose Mourinho në stolin e “djajve të kuq” është në rrezik serioz. Mediet angleze kanë filluar në ditët e fundit që të shkruajnë për emrin e trajnerit të ri që mund të ulet në stolin e Manchester United. Mes shumë emrave që janë përfolur, më i favorizuari është ai i Mauricio Pochettino. Argjentinasi është në krye të Totenham prej disa vitesh, ku dy sezone rresht e nxori skuadrën londineze nënkampione të Premier League.

Pochettino gjithashtu është përfolur se mund të largohet nga drejtimi i Totenham dhe kështu do të ishte i gatshëm për të ulur në stolin e ekipit 20 herë kampion i Anglisë. Mauricio Pochettino ka një eksperiencë të gjatë si trajner, ku ka drejtuar disa ekipe në Premier League dhe La Liga. Kulmin e tij, ai e ka te ekipi i Spurs, por një ofertë nga Manchester United vështirë se do mund të refuzohej.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë