Lajme

Mallkimi i telefonave të palosshëm

Konkurrenca për të ringjallur telefonat me palosshëm, por këtë herë me një version të përditësuar çoi në dështim njëra pas tjetrës disa kompani të mëdha të prodhimit të celularëve.

E fundit që njoftoi shtyrjen e datës së hedhjes në treg të një telefoni të tillë ishte “Motorola”. Kompania po përpiqet që të risjellë në treg modelin Razr, që për herë të parë e prodhoi në 2004. Në 2006, Razr ishte një prej telefonave më të shitur, por më vonë ashtu si telefonat e tjerë me tastierë fizike u “ekzekutua” nga iPhone i Apple.

Sot, 6 vite nga mbyllja e prodhimit të telefonave Razr dhe pas ndërrimit të disa pronarëve, “Motorola” njoftoi se do ta rikthejë modelin e telefonit legjendar, por me ndryshime që e përshtasin me kohë. Ndryshimi i parë ishte se telefoni nuk ka tastierë fizike, por është i gjithë ekran që paloset.

Një prototip i Motorola Razr 2019. Gazeta Si, 23 dhjetor 2019

Marrja e porosive për këtë telefon ishte planifikuar për më 26 dhjetor. Por, kompania njoftoi këtë të hënë se e ka shtyrë pa afat hedhjen në treg për çmimin e majmë prej 1500 dollarë të këtij telefoni. Si arsyetim është dhënë fakti se “ka patur shumë kërkesa”.

Arsyetimi në fjalë nuk duket fort i besueshëm, duke u nisur nga fakti që përgjatë këtij viti dy kompanit të tjera patën probleme teknike dhe më pas dështuan në tregun e telefonave të palosshëm.

Fillimisht ishte Samsung, që në muajin prill hodhi në treg telefonin “Fold”, por që u godit nga raportimet e shumta të përdoruesve se u ishte thyer ekrani pak ditë pasi e kishin blerë. Për të mos përsëritur gabimin e kompanisë koreano-jugore, kinezët e Huawei shtynë pa afat datën e nxjerres së variantit të tyre të telefonit të palosshëm Huawei Mate X.

Ekspertët teknologjikë thonë se vështirësitë e kompanive për të prodhuar një telefon inteligjent me ekran të palosshëm lidhen kryesisht me mungesën e aplikacioneve që të përshtaten me ekranin sa herë që ai hapet dhe mbyllet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë