Futboll

Mallkimi i kampionit eliminon Gjermaninë më të turpshme të historisë

Mallkimi i kampionit godet sërish. Katër vjet pasi u shpall kampione e botës në Brazil, Gjermania është eliminuar që në fazën e grupeve, ashtu si Spanja në 2014-ën dhe Italia në 2010-ën. Dhe është eliminuara pas një humbjeje të turpshme me Korenë e Jugut, 2-0. Të dy golat u shënuan në shtesë, por deri atëherë gjermanët nuk kishin bërë asgjë për ta fituar ndeshjen, duke dalë edhe nga karakteri i tyre me një indiferentizëm total.

Në Grupin F janë kualifikuar Suedia e para dhe Meksika e dyta. Ndeshja mes tyre u mbyll 3-0 për suedezët dhe dy skuadrat u kualifikuan me nga 6 pikë. Kazani kthehet kështu në një qytet të mallkuar për gjermanët. Kurrë më parë Gjermania nuk është eliminuar që në fazën me grupe në një Botëror dhe që nga viti 1982 ka shkuar gjithmonë në çerekfinale.

Ky Botëror, në fakt, u duk i mallkuar që në fillim, sepse te Gjermania nuk ka pasur kurrë një moment qetësie. Humbja me Meksikën, më pas ndeshja e nisur keq me Suedinë dhe fitorja në minutën e 5-të shtesë me golin e Toni Kros, tani kjo humbje poshtëruese ndaj Koresë së Jugut.

Shigjetat janë drejtuar të gjitha nga trajneri Lëv, jo vetëm për listën e të grumbulluarve për në “Rusi 2018”, por edhe për lojtarët e aktivizuar në 3 ndeshjet në grup. Ndaj Koresë ai la jashtë Mylerin dhe Gomezin, për të aktivizuar Goretzkën dhe Ozilin. Asgjë nuk funksionoi te Gjermania, madje edhe pas ndërrimeve. Ironia është se Lëv është eliminuar nga Shin, trajneri korean që i pret flokët fiks si ai.

Asgjë për t’u shënuar për pjesën e parë, madje Koreja i afrohet golit, kur Nojer nuk kontrollon mirë një top të gjuajtur nga Jung. Në pjesën e dytë Goretzka dhe Verner nuk arrijnë të kalojnë portierin Jo. Në Ekaterinburg shënon Suedia dhe Gjermania kupton se duhet të shënojë, por nuk di ta bëjë këtë gjë.

Lëv fut në fushë Gomezin, Mylerin dhe më pas Brandt, por përsëri më të rrezikshëm janë koreanët. Gomez dhe Humels me kokë gabojnë fatalisht dhe në 6 minutat shtesë ndodh e pabesueshmja. Kim shënon, ka një flamur të ngritur për pozicion jashtë loje, por VAR-i e vlerëson golin të rregullt. Nojer lë portën dhe del në sulm, duke i dhënë mundësin Son të shënojë edhe golin e dytë dhe të kapitullimit gjerman në Rusi.

Shtypi gjerman ka reaguar menjëherë me kritika të forta dhe i ka mëshuar faktit se ka qenë një eliminim plotësisht i merituar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë