Ne rrjet

Mali i Zi u “mbyll dyert”, serbët nuk kanë ku të bëjnë plazh

Vendimi i autoriteteve malazeze për rihapjen e kufijve me fqinjët, por jo me Beogradin zyrtar ka lënë për herë të parë të bllokuar këtë verë serbët, të cilët “dynden” cdo sezon turistik drejt bregdetit malazez.

Por këtë verë duket se do të jetë ndryshe.

Hapja e “dyerve” për turistët nga Kroacia, Shqipëria, Sllovenia, Greqia dhe vendeve të ndryshme të Europës Perëndimore, por jo për qytetarët nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina ka ngjallur reagime të zemëruara nga liderët politikë në Serbi dhe Republikën Srpska. Në hakmarrje, Serbia ka ndaluar uljen e avionëve nga linja kombëtare malazeze, duke acaruar edhe  më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.

Drejtoria Serbe Aviacionit Civil urdhëroi të martën ndalimin e uljeve të avionëve të “Montenegro Airlines” në aeroportin “Nikola Tesla”.

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç e përshkroi vendimin si një “veprim qesharak dhe të pakuptimtë”. Ministrja e Transportit e Serbisë, Zorana Mihajlloviq, tha se Mali i zi nuk është i vetmi vend në rajon që ka dalje në det.

Sipas saj, vendimi i Podgoricës është në kundërshtim me parimet e lirisë së lëvizjes, mbi të cilat bazohet Bashkimi Europian, dhe se nuk u kontribuon marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon.

“Mali i Zi ka përparuar më shumë se Serbia dhe disa vende të tjera të rajonit në procesin e integrimit europian. Ai do të duhej të ishte shembull për të tjerët. Por, në vend të kësaj, midis njerëzve krijohen artificialisht barriera”, tha Mihajllovic. “Ky vendim e thotë qartë se jo vetëm Mali i Zi ka det dhe unë besoj se qytetarët tanë do ta kuptojnë këtë mesazh”, shtoi ajo.

Marrëdhëniet midis Serbisë dhe Malit të Zi janë tensionuar në fund të vitit të kaluar, kur Kuvendi malazez ka miratuar një ligj për liritë fetare, që thuhet se konteston pronësinë serbe mbi disa kisha dhe territore në Mal të Zi. Zyrtarët malazez kanë akuzuar Beogradin dhe Moskën se po përpiqen të destabilizojnë qeverinë pro-perëndimore të vendit fqinj.

Ministri serb i mbrojtjes Aleksandar Vulin tha se ndalimi i hyrjes së serbëve në Mal të Zi do të nxisë më tej lëvizjet anti-serbe në Podgoricë.

“Qeveria në Mal të Zi nuk po lufton kundër virusit, po lufton kundër serbëve,” tha Vulin të martën.

 Serbët përfaqësojnë rreth 30% të popullsisë së Malit të Zi.

Kryeministrja serbe Ana Brnabic tha se Beogradi nuk do të vendosë një ndalim reciprok ndaj malazezëve, por shtoi se qytetarët serbë nuk do të shkojnë atje ku nuk janë të mirëpritur”.

Media dhe qeveria serbe pro-qeveritare e lidhi vendimin me protestat e vazhdueshme nga serbët në Mal të Zi kundër këtij ligji, i cili është parë si një sulm ndaj statusit të Kishës Ortodokse Serbe në vend. Mosmarrëveshja ka shkaktuar protesta, incidente dhe debate të ashpra midis Beogradit dhe Podgoricës.

Anëtari serb i presidencës tre-palëshe të Bosnjës, Milorad Dodik, pohoi se vendimi i qeverisë malazeze për të mos rihapur kufirin me serbët ishte një vazhdim i qëndrimit negativ të Podgoricës ndaj komunitetit serb të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe në vendin fqinj.

“Ne kemi përshtypjen se prapa këtij vendimi të tillë fshihen disa çështje politike mes Serbisë dhe Malit të Zi,” tha Dodik.

Hapja e kufijve nga ana e Malit të Zi ka për qëllim në pamje të parë të shpëtojë sektorin e turizmit, por vendimi për të mos u hapur dyer vizitorëve nga Serbia, Bosnja dhe Rusia do të kufizojë përfitimet ekonomike.

Sipas Zyrës së Statistikave të Malit të Zi, 34.4 për qind e vizitorëve të huaj në Mal të Zi në vitin 2018 kanë ardhur nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Rusia.

Munib Abazovic, pronar i një hoteli në qytetin bregdetar të Ulqinit, paralajmëroi se mbylljet e vazhdueshme të kufirit do të përkeqësojnë situatën për turizmin në Mal të Zi. Ai theksoi se shumica e njerëzve që vizitojnë Ulqinin vijnë nga Bosnja.

“Ne kemi humbur para sezonit veror, por ende shpresojmë se do të marrim veten në korrik dhe gusht. Nëse kufijtë mbeten të mbyllur edhe tani që jemi një vend pa koronavirus, turizmi në Mal të Zi do të pësojë një goditje të rëndë” tha Abazoviç.

Mali i Zi është veçanërisht i ekspozuar ndaj ndikimit ekonomik nga pandemia, për shkak të mbështetjes së fortë në sektorin e turizmit, i cili përbën 21 për qind të PBB-së kombëtare. Gazeta Si

Më Shumë