Treg

“Makthi” i zinxhirëve të furnizimit global do të përkeqësohet

Mungesa e çipave kompjuterikë. Mbingarkesa e portit të Los Angelosit. Dhe një mungesë serioze për shoferë kamionësh. Zinxhirët jetik të furnizimit në botë janë nën stres ekstrem.Makthi i zinxhirit të furnizimit po rrit çmimet për konsumatorët dhe ngadalëson rimëkëmbjen ekonomike globale.

Fatkeqësisht, Moody’s Analytics paralajmëron se ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit “do të përkeqësohen ende përpara se të japin shenja përmirësimi”.

FMN përmendi ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe dobësimin e konsumit i cili në vetvete është nxitur pjesërisht nga bllokadat në zinxhirin e furnizimit, ku rasti tipik është industria automobilistike që ka ulur prodhimin për shkak të mungesës së cipave kompjuterikë.

“Kontrollet kufitare dhe kufizimet e lëvizshmërisë, mos-disponueshmëria e një leje vaksine globale dhe kërkesa për t'u karantinuar në shtëpi e personave të infektuar janë kombinuar në një stuhi të përsosur, ku prodhimi global do të pengohet sepse dërgesat nuk bëhen në kohë, kostot dhe çmimet do të rriten dhe rritja e PBB -së në mbarë botën nuk do të jetë aq e fortë si rezultat, “shkroi Moody’s në raport.

Moody’s tha se “pika më e dobët” mund të jetë mungesa e shoferëve të kamionëve – një çështje që ka kontribuar në mbingarkesën në porte dhe ka bërë që stacionet e naftës në Mbretërinë e Bashkuar të mbeten bosh.

Fatkeqësisht, Moody’s paralajmëroi se ka "re të errëta përpara" sepse në lojë janë disa faktorë që në përplasje me njëra-tjetrën prodhojnë “ngërçe” në zinxhirët e furnizimit.

Së pari, firma vuri në dukje dallimet në mënyrën se si vendet po luftojnë Covid, me Kinën që synon zero raste ndërsa Shtetet e Bashkuara janë “më të gatshme të jetojnë me Covid-19 si një sëmundje endemike”.

Së dyti, Moody’s përmendi mungesën e një “përpjekjeje të bashkërenduar globale për të siguruar funksionimin e qetë” të rrjetit logjistik dhe transportit në mbarë botën.

Të tjerët janë shumë më optimistë për perspektivën e zinxhirit të furnizimit.Drejtori i Përgjithshëm i JPMorgan Chase, Jamie Dimon tha se këto “ngërçe” të zinxhirit të furnizimit do të zbehen shpejt.“

Kjo nuk do të jetë aspak një çështje vitin e ardhshëm,” tha Dimon gjatë një konference të mbajtur nga Instituti i Financave Ndërkombëtare, raportoi CNBC. “Kjo është pjesa më e keqe e saj. Unë mendoj se sistemet e mëdha të tregut do të përshtaten ashtu siç kanë bërë kompanitë.”

Burimi: CNBC/Përshtati Gazeta SI


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë