Futboll

Mafia dhe futbolli

Me shumat marramendëse që qarkullon sot, futbolli europian shihet si një terren mjaft fitimprurës edhe nga organizatat mafioze.

Futbolli italian rrezikon të përfshihet nga një tjetër skandal, ndoshta jo në përmasat e Calciopolit të 2006, por akuzat janë po aq serioze.

Prokuroria sportive e Napolit ka dorëzuar në gjykatë dosjen në ngarkim ndaj tre lojtarëve dhe ish-lojtarëve, që dyshohet se kanë lidhje me Kamorran, konkretisht me klanin “Lo Russo”, një prej klaneve më të fuqishme të mafias napolitane.

Hetimet e Prokurorit Federal Giuseppe Pecorare përfshijnë portierin e Napolit, Pepe Reina, Paolo Cannavaron, lojtar i Napolit deri në vitin 2014 dhe nga shkurti i 2015 lojtar i Sassuolos dhe ish-mbrojtësi i Napolit dhe Palermos, Salvatore Aronica.

Sipas prokurorëve italianë, të tre lojtarët kishin ngritur një miqësi të ngushtë me Gabriele, Francesco dhe Giuseppe Esposito, pronarë një pikë bastesh Eurobet në qendët të qytetit të Napolit. Ata ishin frekuentues të rregullt të këtyre ambienteve, titullarët e të cili rezultojnë persona me precedentë penalë dhe me aktivitet kriminal të theksuar në fushën e bastvënieve të paligjshme.

Prokurorët thonë se në një rast, Paolo Cannavaro ka kërkuar që të shesë një orë Zenit El Primero Master Chrome, me një vlerë rreth 400 mijë euro, që besohet se e ka marrë si dhuratë nga tre personat e lartpërmendur.

Në një tjetër rast, kur luante tek Napoli, Cannavaro dyshohet se ka ndikuar në mënyrë të paligjshme për t’u siguruar dy bileta personave të lidhur ngushtë me klanin “Lo Russo”, e që janë nën hetim për aktivitetin e tyre mafioz.

Edhe për Pepe Reinan, që nga sezoni i ardhshëm do të kalojë tek Milani dhe Salvatore Aronican rëndojnë të njëjtat akuza, ato të lidhjeve të dyshimta me grupet mafioze napolitane, që sipas prokurorit mund të kenë ndikuar në fiksimin e rezultateve të ndeshjeve të caktuara.

Nën hetim janë edhe disa zyrtarë të Napolit, përfshi menaxherin e klubit dhe kreun e marketingut, që të gjithë për lidhje të dyshimta me grupet mafioze.

Mediat italiane raportojnë se prokuroria po mundohet që të zbardhë nëse gjatë periudhës së ushtrimit të aktivitetit, ka ndonjë sinjalizim për ndeshje të fiksuara të skuadrës së Napolit apo jo.

Kjo nuk është hera e parë që futbollistë italianë hetohen për lidhje me grupet mafioze. Akuza të ngjashme janë ngritur më herët edhe ndaj Fabrizzio Miccolit, ish-lojtar i Juventusit e më pas Palermos. Në fund të gjykimit, ish-sulmuesi ja hodhi me një gjobë, duke shmangur burgun.

Hetime për ndikime mafioze në futboll ka patur edhe në Puglia dhe Kalabri, përkatësisht për ndikim të “Sacra Corona Unita” dhe “Ndraghetas” në aktivitetet sportive dhe bastvëniet e paligjshme.

Pas shpërthimit të krizës ekonomike në vitin 2008, besohet se mafia zhvendosi aktivitetin e vet nga fusha e ndërtimit tek lotaritë sportive, që konsideroheshin një treg i mirë dhe i sigurtë për të pastruar paratë e drogës dhe prostitucionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë