Ne rrjet

“Macron të na kërkojë falje”. Turqia kërcënon BE-në me refugjatët

Duke thënë se Franca është e detyruar të kërkojë falje, Ankaraja ka paralajmëruar sot se do të hakmerret ashpër nëse Bashkimi Europian përpiqet të vendosë sanksione të mëtejshme ndaj Turqisë, për shkak të aktiviteteve të saj në Mesdhe.

Paralajmërimi erdhi nga Ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu, i cili nuk e përjashtoi hapjen sërish të kufijve, duke nxitur mijëra refugjatë të hyjnë në Greqi, për t’u nisur më pas drejt vendeve të tjera të rajonit, përfshirë edhe vendin tonë.

Duke mos i fshehur tensionet midis dy palëve, Çavuşoğlu kërcënoi BE-në një konferencë të përbashkët shtypi me shefin e diplomacisë së BE, Josep Borrell në Ankara

"Ne do të duhet të përgjigjemi nëse BE merr vendime shtesë kundër Turqisë dhe kjo do të krijojë një tension më të madh" tha ai. “Ne i kemi treguar edhe më parë hakmarrjen turke BE duke hapur portat për emigrantët, dhe mund ta bëjmë sërish”.

Turqia i “nxori dhëmbët” BE-së pasi Franca bëri thirrje për diskutime me vendet anëtare pasi Parisi dhe Ankaraja u përleshën në lidhje me një incident midis anijeve luftarake turke dhe franceze në Mesdhe, gjë që bëri që Paris të kërkojë që NATO të nisë një hetim.

Mevlut Cavusoglu

Përplasja ndezi frikën e BE mbi rrezikun që Turqia paraqet për Mesdheun, ku tensionet ishin tashmë të larta pasi Ankaraja zgjeroi aktivitetet e saj për eksplorimin e naftës dhe gazit në zonat që Qiproja dhe Greqia i konsiderojnë si ujërat e tyre territoriale. BE dënoi në nëntor këto aktivitete dhe vendosi sanksione ndaj dy zyrtarëve të kompanisë turke të naftës. Por ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian tha javën e kaluar se BE mund të vendosë sanksione të mëtejshme pas incidentit të fundit.

Franca nuk i ka thënë të vërtetën BE-së dhe NATO-s, tha Çavuşoğlu. "Në vend që të përfshihej në aktivitete anti-turke dhe të kërkonte mbështetje, Franca duhet të bëjë një rrëfim të sinqertë. Pritja jonë nga Franca për momentin është që ajo të kërkojë falje në mënyrë të qartë, pa gënjeshtra, për mosdhënien e informacionit të saktë", shtoi ai.

Tensionet midis Francës dhe Turqisë janë rritur muajt e fundit për shkak të përfshirjes së tyre në luftën civile në Libi. Turqia mbështet administratën e njohur nga SHBA të Kryeministrit Fayez al-Sarraj dhe Franca dhe vendet e tjera kanë akuzuar Ankaranë për kontrabandë armësh drejt Libisë në shkelje të një embargo të OKB-së

Ndërkohë, Franca mbështetet kundërshtarin e al-Sarraj, Khalifa Haftar, një luftëtar, milicitë e të cilit gjithashtu kanë mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe, Rusisë dhe Egjiptit, megjithëse qeveria franceze e ka mohuar vazhdimisht.

Duke folur të hënën në Ankara, Borrell tha se marrëdhëniet aktuale midis BE-së dhe Turqisë nuk janë ideale," dhe shtoi se ai shkoi në Turqi "për të kërkuar një de-përshkallëzim të situatës".

 Mevlüt Çavuşoğlu dhe Joseph Borrel

Por Çavuşoğlu i kërkoi Parisit t’i kërkonte falje Turqisë dhe paralajmëroi BE që të mos vendosë sanksione të reja, duke thënë se Ankaraja" mund të ndërmarrë hapa të caktuara në Mesdheun lindor ose në zona të tjera."

Ministri akuzoi gjithashtu Brukselin se nuk respekton detyrimet e tij në lidhje me marrëveshjen e emigracionit që BE nënshkroi me Ankarën në mars të vitit 2016, sipas së cilës të dy palët u zotuan të "rinegociojnë" procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE, i cili është kundërshtuar ashpër nga Franca. "Unë e di se BE nuk e pëlqen, por liberalizimi i vizave është një angazhim i bërë nga BE, kështu që ju duhet të përmbushni angazhimin tuaj, pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo," tha Çavuşoğlu.

Çavuşoğlu tha po ashtu se Turqia pret që Brukseli të ndërmjetësojë në mënyrë të drejtë marrëdhëniet e vendit me Qipron, Francën dhe Greqinë.

"Nëse BE dëshiron të jetë një ndërmjetës, ne do ta mbështesim për aq kohë sa BE është dhe vepron si një ndërmjetës i ndershëm," tha ai.

Çavuşoğlu gjithashtu kritikoi Bashkimin Evropian për mos përfshirjen e Turqisë në listën e sigurt të udhëtimit, duke thënë se vendi ishte "gati të priste mysafirë nga Gjermania dhe vendet e tjera në një mjedis të sigurt turistik.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë