Ne rrjet

Lulet e Putinit

Javët e fundit, Vladimir Putin ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme me udhëheqës të lartë të vendeve europiane dhe aziatike. Takimet janë zhvilluar në Sochi dhe temat, sipas asaj që thotë Kremlini kanë qenë ekonomike.

Në këtë pritje, Presidenti rus ka ruajtur traditën e vet, atë të dhurimit të një buqete më lule për të gjitha gratë, qofshin ato udhëheqëse, qofshin partnere të udhëheqësve që priste në takim.

Kështu ndodhi me Merkel, të cilës i dhuroi për të disatën herë një buqetë me lule të bardha, e po ashtu edhe Brigitte Macron, partneres së Presidentit francez, Emmanuel Macron, me të cilin u takua pak ditë pas Merkelit.

Por, në shtypin gjerman gjesti i Putinit është interpretuar ndryshe. Bild shkruan në një artikull të vetin se tufa e luleve ka një mesazh që Presidenti rus mundohet t’i përcjellë Angela Merkelit.

Putin pret me lule Angela Merkel në takimin e fundit në Sochi, Rusi

“Duket si një veprim mirësjelljeje, por në fakt është një ofensivë diplomatike. Udhëheqësit takojnë njëri-tjetrin duke shtrënguar duart, jo duke dhuruar buqeta me lule. Putin, me buqetën me lule synon që t’i kujtojë Merkelit se ajo është një grua. Pra, kërkon ta nënvlerësojë”, thuhet ndër të tjera në artikull.

Në rrjetet sociale kishte nga ata që e mbështesnin logjikën e autorit dhe vinin në dyshim sinqeritetin e buqetave të Putinit.

“A janë lulet e Putinit si koka e kalit në krevat, apo si puthja e lamtumirës tek Kumbari?”, pyet një përdorues në Twitter.

Por, kishte nga ata që e kundërshtonin idenë e artikullit të Bild.

“Redaktorët e Bild janë rusofobë dhe ata drejtojnë gjithë gazetën”, shkruan një tjetër.

Artikulli tërhoqi vëmendjen e Kremlinit, që fillimisht e anashkaloi reagimin, por më vonë zyrtarë të tij kujtuan se është traditë ruse dhurimi i një buqete me lule grave.

Një buqetë e ngjashme me lule iu dhurua edhe Brigitte Macron, partneres së Presidentit francez, Emmanuel Macron

Mediat ruse u vunë në lëvizje gjithashtu, duke sjellë në kujtesë takimet e mëhershme të Putinit me Merkel, ku gjithmonë shefi i Kremlinit i kishte dhuruar lule, po ashtu edhe takimet me Presidenten kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Por jo vetëm udhëheqësve. Putin u dhuron buqeta edhe partnereve të tyre. I tillë është rasti i fundit i Brigitte Macron, që mori një buqete të bardhë nga shefi i Kremlinit, ndërsa më parë një buqetë të ngjashme e kishte marrë edhe Laura Bush, bashkëshortja e George W. Bush, ish-President i SHBA.

Vite më pare, Putin i dhuronte lule Laura Bush. Në foto, George W. Bush, Laura Bush dhe Lyudmilla, ish-bashkëshortja e Presidentit rus

Kremlini vetë është i bindur se gjesti i Putin është i sinqertë, akt mirësjelljeje dhe pas tij nuk qëndron asnjë simbolikë, apo mesazh i koduar diplomatik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë