Futboll

Luhet klasikja Francë-Gjermani, “treni i fundit” për Lëv

Humbja e rëndë në Holandë e tronditi fort stolin e trajnerit të Gjermanisë, Joakim Lëv. Kombëtarja gjermane duket në kolaps total dhe kritikët e futbollit mendojnë se Lëv duhet të largohet, por federata nuk ka marrë asnjë vendim. Ndoshta për t’i dhënë edhe një shans të fundit trajnerit Lëv. Gjermania ndeshet në mbrëmje me kampionët e botës, një sfidë klasike e futbollit të madh europian, që për “panterat” mund të konsiderohet nga të gjitha rrethanat si “treni i fundit”.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Joakim Lëv është e fundit në Grupin 1 të Ligës A, me një pikë. Në rast të një tjetër humbjeje, Gjermania do të rrezikonte shumë rënien në Ligën B, që do t’i kushtonte, sipas të gjitha gjasave, vendin e punës trajnerit Lëv.

Faqja e parë e "L'Equipe", kushtuar ndeshjes Francë-Gjermani

Pas humbjes në Holandë, drejtuesi e Federatës Gjermane të Futbollit janë përpjekur ta mbrojnë publikisht trajnerin e tyre, por ai është në qendër të kritikave të ish-futbollistëve të njohur gjermanë dhe tifozëve, ashtu si dhe portieri Manuel Nojer. Vështirë që trajnerit Lëv t’i falet një tjetër zhgënjim, pas eliminimit të turpshëm nga Botërori i Rusisë.

Ndeshja me Gjermaninë pritet më shumë interes në Francë. Trajneri i kampionëve të botës, Didier Deshamp, feston 50-vjetorin e lindjes dhe fitorja do të ishte një dhuratë për të. Nëse merr 3 pikët, Franca hipotekon vendin e parë në grup dhe pastaj mund të rrijë e qetë për sfidën me Holandën, që luhet më 16 nëntor. Dy skuadrat vijnë në këtë ndeshje në një formë sportive diametralisht të kundërt. Gjermania po përjeton një nga momentet më të vështirë të viteve të fundit, me vetëm 3 fitore në 10 ndeshjet e fundit, kurse Franca po kalon një moment magjik dhe është favorite për të ftuar në “Stade de France”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë