Trajneri vlonjat, Gentian Mezani, ka pranuar sfidën për të marrë drejtimin e skuadrës gjirokastrite, që këtë sezon duket se do të luftojë për mbijetesë. Nuk ka marrë asnjë pikë në katër ndeshjet e para, ndërkohë që ka humbur disa nga “yjet” e sezonit të kaluar, me në krye Kristal Abazajn dhe Dejvi Bregun. Lajmi për emërimin e Gentian Mezanit në krye të Luftëtarit është konfirmuar zyrtarisht nga klubi jugor. Në Kupat e Europës Luftëtari u drejtua nga slloveni Millosh Kostiç, i cili zuri vendin e Hasan Likës, por regjistroi vetëm humbje gjatë kësaj periudhe dhe tashmë palët i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit. Prishje e kontratës me konsensus dhe në “katedër” vjen një trajner i ri, Gentian Mezani, i cili ka bërë shumë mirë me Flamurtarin dhe Laçin. Këtë të fundit e çoi në Europa League sezonin e fundit.
Por në Gjirokastër do të jetë shumë e vështirë për këtë trajner, sepse së pari duhet të rikthejë besimin e munguar nga rezultatet e deritanishme dhe më pas të rregullojë gjërat nga ana teknike. Trajneri Mezani do të debutojë në stolin e Luftëtarit në ndeshjen me Teutën këtë fundjavë. Një ndeshje delikate, që duhet kaluar medoemos me sukses, sepse në të kundërt gjithçka bëhet më e vështirë. Gjirokastritët qëndrojnë në vend të fundit, me 0 pikë, kështu që duhet reagim i menjëhershëm dhe trajneri vlonjat ka detyrën e vështirë ta nxjerrë skuadrën jugore nga kriza e momentit dhe ta futë në rrugën e duhur.
Luftëtari është ekipi i dytë që ndërron trajner vetëm pas katër javësh kampionat. Ndryshimi i parë ishte ai në stolin e Kamzës, ku pas tri javësh Bledar Devolli i la vendin Klodian Duros. Slloveni Kostiç ishte në “fije të perit” dhe largimi i tij ishte vetëm çështje kohe. Drejtuesit e Luftëtarit menduan se është më mirë që lëvizja të bëhej para ndeshjes me Teutën dhe tani pritet që me emërimin e Mezanit situata të ndryshojë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.