Futboll

Luftë nervash Tirana-Ze Maria, në mes janë mijëra euro

Trajneri Ze Maria, me humbjen në derbin me Partizanin, ka humbur edhe besimin dhe mbështetjen e drejtuesve të Tiranës. Ai është një person “i padëshiruar” edhe nga një pjesë e mirë e lojtarëve të kësaj skuadre. Në të tilla kushte logjikshëm mendohet largimi i trajnerit nga stoli bardheblu, por ajo që mban gjithçka peng është mënyra si do të bëhet ndarja: shkarkim, apo prishje e kontratës me mirëkuptim. Tiranës i intereson vetëm e dyta, por edhe kjo jo sipas "oreksit" të trajnerit Ze Maria, i cili duket kërkon një dëmshpërblim të majmë

Shkarkimi ka kosto të kripur financiare për Tiranën dhe presidenti Refik Halili nuk dëshiron ta marrë këtë vendim. Situata favorizon trajnerin brazilian, i cili duket se po luan me nervat e drejtuesve të Tiranës. Prishjen e kontratës me konsensus nuk e ka përmendur asnjëherë dhe me diplomaci ka deklaruar se nuk është te Tirana për paratë, por për të çuar në fund projektin që ka nisur. Pas një takimi me presidentin Refik Halili dhe më pas me grupin e lojtarëve, ai ka vazhduar punën. Ka kërkuar nga lojtarët të mësojë shqetësimet e tyre dhe të bashkuar të vazhdojnë përpara, por atmosfera brenda dhomave të zhveshjes mbetet po ajo. Lojtarët mund të mos kenë guximin t’ia thonë në sy trajnerit pakënaqësitë, por është e qartë se shumë vendime të tij nuk aprovohen nga “senatorët” bardheblu.

Trajneri Ze Maria në fushën e "Selman Stërmasit" para derbit

Nga ana tjetër, në shtypin sportiv dhe ambientet futbollistike lakohen emrat e kandidatëve për pasuesin e Ze Marias, madje për të martën është lënë një takim mes presidentit Halili dhe ish-mesfushorit të Tiranës, Ardian Memës, aktualisht zëvendëstrajner te Flamurtari. Ai shihet si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Tiranës, ndërsa ermri tjetër është ai i Julian Ahmatajt, një tjetër ish-bardheblu. Ende pa u ndarë me Ze Marian, drejtuesit bardheblu po mendojnë për trajnerin e ri. E gjitha kjo është një luftë nervash mes palëve dhe nuk mund të bëhet një lëvizje konkrete nga presideti Halili, pa marrë më parë miratimin e Ze Marias për prishje kontrate me mirëkuptim. Braziliani do të largohet bashkë me stafin e vet të fryrë dhe prishja e njëanshme e kontratës nuk i leverdis aspak Tiranës, ndaj dhe drejtuesit e saj janë vënë me “shpatulla pas murit”. Trajneri brazilian u ka mbetur në derë bardhebluve.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë