Ne rrjet

Luftë me Iranin? Kongresi synon t’i lidhë duart Donald Trump

Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan votoi një rezolutë përmes të cilës i kërkohet Presidentit Donald Trump që para se të ndërmarrë veprime të mëtejshme ushtarake ndaj Iranit të kërkojë miratimin e ligjvënësve.

Pro kësaj rezolute votuan 224 ligjvënës dhe 194 të tjerë dolën kundër.

Kryetarja e kësaj Dhome, Nancy Pelosi qortoi administratën e Presidentit Trump për vrasjen e gjeneralit iranian, Qassem Soleimani pa u këshilluar më parë me Kongresin për një gjë të tillë.

Ajo e quajti sulmin ajror një veprim "provokues dhe joproporcional" që vë në rrezik jetën e trupave ushtarake, diplomatëve dhe shtetasve amerikanë në mbarë botën.

Rezoluta kërkon që presidenti të ndalojë përdorimin e forcave amerikane kundër Iranit, derisa Kongresi të shpallë gjendjen e luftës, ose të jap miratim përmes një ligji, apo derisa një veprim i tillë ushtarak është i nevojshëm për t'u mbrojtur kundër një sulmi të menjëhershëm ndaj Shteteve të Bashkuara, territoreve të saj apo forcave të armatosura amerikane.

"Administrata duhet të punojë me Kongresin për të çuar përpara një strategji të menjëhershme, efektive shtendosjeje që parandalon dhunën e mëtejshme. Amerika dhe bota nuk mund t’i lejojnë vetes një luftë”, deklaroi Pelosi.

Nga Shtëpia e Bardhë, rezolutë e miratuar nga demokratët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve u quajt qesharake dhe e gabuar.

Megjithëse rezoluta nuk është detyruese, ajo sërish do ta ketë të vështirë që të kalojë me votat e mjaftueshme në Senatin e kontrolluar nga republikanët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë