Shitjet përmes transmetimeve live në TikTok po kthehen në një nga formatet më të suksesshme të tregtisë online, duke u dhënë mundësi bizneseve të vogla të arrijnë mijëra klientë në kohë reale dhe të rrisin ndjeshëm fitimet.
Një nga shembujt më të spikatur është ai i britanikes Daisy Kelly, e cila themeloi markën e produkteve të bukurisë Gloë For It në vitin 2020 nga tavolina e kuzhinës së nënës së saj. Sot, biznesi i saj gjeneron rreth 6 milionë paund në vit, ndërsa mbi 40% e shitjeve vijnë nga TikTok Shop. Gjatë një transmetimi live që zgjati 12 orë, kompania realizoi mbi 100 mijë paund shitje.
Sipas Kelly, transmetimet live krijojnë një lidhje të drejtpërdrejtë me klientët, të cilët mund të shohin produktet, të bëjnë pyetje dhe të blejnë menjëherë. Ajo e përshkruan përvojën si të kesh qindra klientë brenda një dyqani në të njëjtën kohë.
Fenomeni nuk kufizohet vetëm te produktet e bukurisë. Edhe biznese të tjera kanë përfituar nga kjo mënyrë e re e shitjes. Kasapi Manny Malik, për shembull, shiti mish me vlerë 8 mijë paund gjatë një transmetimi treorësh në TikTok, ndërsa marka e bizhuterive Adorina e rriti numrin e porosive nga 50 në muaj në rreth 500 në javë pasi nisi të shiste përmes platformës.
Sipas një studimi të agjencisë Savvy Marketing, 30% e konsumatorëve kanë blerë të paktën një produkt gjatë një eventi të shitjeve live, ndërsa 66% e të rinjve të Gjeneratës Y dhe Z pranojnë se produktet që bëhen virale ose promovohen drejtpërdrejt i nxisin më shumë të blejnë.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë edhe për anën tjetër të fenomenit.
Organizata Money Ëellness thekson se ritmi i shpejtë i ofertave dhe mundësia për të paguar me një klikim mund t’i shtyjnë konsumatorët drejt blerjeve impulsive dhe shpenzimeve të tepërta.
Pavarësisht këtyre shqetësimeve, shitjet live po shihen si një nga trendet me rritjen më të shpejtë në tregtinë elektronike, duke ndryshuar mënyrën se si bizneset prezantojnë produktet dhe ndërveprojnë me klientët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje