Futboll

Lorik Cana, ambasador i sportit shqiptar

E premtja, ishte dita e derbit të kryeqytetit, që në fund pa fitues Partizanin, por ishte edhe mbrëmja e ambasadorëve të sportit shqiptar. Në ceremoninë e organizuar nën kujdesin e FSHF-së, në Pallatin e Brigadave janë vlerësuar figurat më të spikatura të sportit shqiptar ndër vite që na kanë bërë krenar me paraqitjet e tyre.

Kjo ceremoni e veçantë, bëri bashkë të premten në mbrëmje, personalitete të botës së sportit, politikës dhe artit. Në fillimin e muajit shtator ishin shpallur nominimet për fituesit e çmimeve “Albanian Sports Ambasador”, ndërsa të premten u ndanë dhe çmimet përkatëse.

Fitues i çmimit kryesor të mbrëmjes është shpallur kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit, që e çoi skuadrën tonë për herë të parë në finalet e një kampionati europian, Lorik Cana. Çmimi “Albanian Sports Ambasador”, ish-kapitenit, Lorik Cana i është dorëzuar nga presidenti i FShF-së, Armand Duka. Në garë për këtë çmim që ka fituar Lorik Cana, ishin edhe Igli Tare dhe Edvin Murati, por në fund futbollisti gjakovar ka triumfuar.

Kjo mbrëmje që organizohej për herë të parë, i kushtoi një moment special edhe legjendës së futbollit kosovar Fadil Vokrri i cili u nda nga jeta disa muaj më parë. Djali i të ndjerit Fadil Vokrri, tërhoqi çmimin në nder të babait të tij. Me çmimet e tjera u vlerësuan edhe boksieri Luan Krasniqi, i cili bashkëndau këtë vlerësim të publikut (në votimin online) me Haki Doku, një tjetër kandidat i nominuar. Një çmim karriere shkoi për ish-sulmuesin e kombëtares, Igli Tare, aktualisht drejtor sportiv në klubin italian Lacio.

Një vlerësim ishte rezervuar dhe për kapitenin aktual të kombëtares së futbollit, Ansi Agolli. Çmimi iu dorëzua nënës së futbollistit nga ish-trajneri i skuadrës kombëtare të futbollit, Gianni De Biasi. Me çmime u nderuan edhe një sërë personalitetesh të njohura të sportit shqiptar, si  portieri Tomas Strakosha, apo edhe sportistët Izmir Smajlaj, Erblina Bici e Elizabeta Karabolli.

Çmimet e ndara janë të lidhura ngushtësisht me suportin e projekteve sociale në Shqipëri dhe në Kosovë. Qëllimi i kësaj iniciative është që të frymëzojë njerëzit për të vepruar dhe për të bërë ndryshimet pozitive nëpërmjet sportit. Vlera monetare e këtyre çmimeve nuk do t’i shkojë fituesve, por do të jetë për mbështetjen e tre projekteve të miratuara nga Presidenca e “Albanian Sports Ambasador” dhe që lidhen me: Projektin për Shahun në Shkolla dhe krijimin e Akademisë së Shahut, Projektin e Fondacionit 5, për futbollin e fëmijëve, si dhe projektin “Jo për gjakmarrjen, po për jetën”, në shërbim të luftës kundër fenomenit të gjakmarrjes.

https://www.youtube.com/watch?v=RxjxeHSivDQ

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë