Futboll

Lopetegui drejt shkarkimit, Real Madrid ka dy dilema për trajnerin e ri

Humbja 5-1 në klasiken e së dielës ishte “pika që e mbushi gotën”. Julian Lopetegui është në prag të shkarkimit nga drejtimi i Real Madrid. Ish-trajneri i kombëtares së Spanjës këtë fillim sezoni ka dështuar që t’i mbajë “Los Blancos” në nivelet e larta dhe prej javësh përflitet për një largim. Që prej mbrëmjes së të dielës mediet spanjolle kanë filluar ta bëjnë fakt të kryer largimin e 52-vjeçarit dhe tashmë po aludohet për zëvendësuesin e tij.

Mes emrave më të përfolur, dy janë ata që shikohen si më shumë favoritë, italiani Antonio Konte dhe argjentinasi Santiago Solari. Por para kësaj Real Madrid do duhet të mendojë mënyrën e zgjidhjes së kontratës më Lopetegui në mënyrë që rroga e tij të mos jetë një barrë e shtuar për arkat e klubit.

Konte është gati për “Los Blancos”

Tekniku italian që pas largimit nga Chelsea është pa punë edhe pse deri para disa ditësh vijonte të paguhej nga klubi londinez për shkak të kontratës. Në Premier League ai e nisi shumë mirë, duke fituar titullin që në vitin e parë, por sezoni i dytë ishte një dështim total. Duke pasur mbi supe një eksperiencë goxha të konsiderueshme, Konte mund të marrë drejtimin e Real Madrid me premtim që të rikthejë disiplinën në dhomat e zhveshjes. Konte është në mesin e të preferuarve të presidentit Florrentino Perez, por jo aq shumë nga tifozët. Me një sistem loje mbrojtës, Konte nëse do të firmoste me Real Madrid sfidën e parë të madhe do të kishte bindjen e tifozëve.

Eksperimentimi me Santiago Solari

Në ekipin e dytë Real Madrid Kastilla, pasuesi i Zidane është argjentinasi Santiago Solari. Ish-mesfushori anësor edhe kur kishte qenë futbollist ishte konsideruar si zëvendësuesi natyral i Zidane dhe tashmë do të mbetet për t’u parë nëse do e zëvendësojë atë edhe në stolin e ekipit të parë të madrilenëve. Eksperienca e tij si trajner është modeste, pasi deri më tani ka drejtuar vetëm ekipin e dytë të Real Madrid. Por ky fakt nuk përbën problem për presidentin Perez, pasi në të njëjtën formë u mor edhe Zidane dhe rezultati që ai arriti dihet tashmë. Si lojtarë, Solari dallohej për shpejtësinë e tij në krah dhe klasin në mbajtjen e topit, ndërsa si trajner, mediat spanjollë flasin për një personalitet me shumë autoritet, pikërisht ajo që i duhet Real Madrid në këto momente.

Konte dhe Solari deri më tani janë në “pole position”, por nuk duhet të çuditemi nëse në stolin e Real Madrid, Florentino Perez zgjedh dikë tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë