Futboll

Lojtarët e dështuar, formacioni më i keq i sezonit të shkuar!

Mbrëmjen e së hënës janë dhënë çmimet për futbollistët më të mirë të sezonit të fundit. Lojtari më i mirë, sipas FIFA-s, është Luka Modriç, mesfushori i Kroacisë dhe Realit të Madridit. Janë vlerësuar gjithashtu edhe Varane, Ramos dhe Salah, protagonistë të mëdhenj që kanë ndikuar në suksesin e klubeve të tyre. Por është edhe ana tjetër e medaljes, protagonistët në sensin negativ, të cilët përbëjnë një formacion interesant. Në mënyrë ironike, “Marca” ka bërë një klasifikim për “The Worst”, çmimin e dedikuar lojtarëve që kanë bërë një sezon për t’u harruar.

Një skuadër e plotë e atyre që kanë thyer çdo parashikim. Për atë që mbron portën e formacionit me të keq nuk ka dilema: është ish-portieri i Liverpulit, Loris Karius, tashmë te Beshiktashi. Tifozët e Liverpulit dhe jo vetëm do ta kujtojnë gjatë gafën e tij në finalen e Champions League kundër Realit të Madridit. Përpara tij në mbrojtje rreshtohen Leonardo Bonuçi, pas atij sezoni të komplikuar me Milanin, Lindelof i Mançester Junajtid, i zgjedhur edhe si mbrojtësi më i keq, dhe gjermani Hauides i Juventusit.

Formacioni i lojtarëve me paraqitjen më të dobët sezonin e kaluar

Në mesfushë është një emër i njohur, Uesli Shneijder, ish-lojtar i Interit, i cili kaloi te Nisa dhe luajti vetëm 5 ndeshje, pa qenë kurrë vendimtar. Bashkë me të janë Ozil, Ganso dh Bakajoko, ky i fundit i “vlerësuar” për sezonin fantazmë me Çelsin. Në sulm spikat emri i Aleksis Sançez, i cili luajti gjysmë sezoni me Arsenalin dhe gjysmën tjetër me Mançester Junajtid. Vieto dhe Iheanaço shoqërojnë kilenin në repartin e avancuar.

Këtij formacioni të lojtarëve me paraqitjen më të dobët të sezonit të kaluar i duhet një trajner dhe këtu zgjedhja është pak e vështirë. Tre emrat e trajnerëve të nominuar për këtë “çmim” janë Vinçenco Montela, zhgënjyes te Milani dhe më pas te Sevilja, Jorge Sampaoli, që “paguan” për Botërorin e Rusisë me Argjentinën, si dhe Frank De Bur, me rezultate katastrofike në krye të Kristal Palasit në Angli. Secili mund të zgjedhë cilin trajner të dojë, nuk do të ndryshonte asgjë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë