Keshilla

Lodhja nga karantina: Do të duhet një vit që jeta jonë t’i rikthehet normalitetit

Ekspertët parashikojnë se mund të duhet plot një vit që jeta jonë t’i rikthehet normalitetit, cilido qoftë ai. Për pasojë, njerëzit kanë barrën e rëndë të gjetjes së mënyrave të reja për tu përshtatur me këtë realitet.
Pasja e një rutine dhe rregulli gjatë ditës, por edhe gjetja e kohës për veten, është një mënyrë shumë e mirë për t’u përballur me këtë situatë. Kjo është shumë e rëndësishme sepse pavarësisht se mund të ngjajë sikur kemi kohë për të bërë gjithçka, në të vërtetë mund të ndihemi si në burg. Ndjesi të tilla formojnë atë që ekspertët e quajnë si plogështia e karantinës, e cila ka zënë rrënjë këto dy muaj.
Përse ndihemi të plogësht në fund të ditës?
Psikologë të ndryshëm thonë se njerëzit po ndihen gjithnjë e më të lodhur në fundin e çdo dite. Kjo ndodh për shumë arsye.
E para për nga rëndësia është fakti se po përjetojmë shumë ndryshime dhe pasiguri në jetë. Kjo pasiguri për të ardhmen shërben si benzinë për zjarrin e ankthit, veçanërisht tek njerëzit që përballen me pamundësi financiare. Për prindërit, plogështia është shumë më e madhe. Ata duhet të kryejnë më shumë punë në shtëpi por edhe të angazhohen në edukimin e fëmijëve dhe me organizimin e ditës për të gjithë anëtarët e familjes.
Njerëz të tjerë që punojnë nga shtëpia ndihen të lodhur dhe kanë probleme me shikimin. Në lidhje me ndërveprimin me njerëzit në distancë, teknologjia na ndihmon shumë. Ama, ajo nuk e mbush dot boshllëkun që shkakton distancimi dhe pamundësia e kontaktit fizik.
Njerëzve u mungon ndërveprimi ballë për ballë, prania fizike, prekja, përqafimi dhe puthjet. Sado puthje të dërgojmë online, asnjëra prej tyre nuk zëvendëson atë të vërtetën.
Sipas psikologëve, plogështia fizike dhe emocionale e karantinës nxitet edhe nga mungesa e stimulit dhe motivimit. I vetmi stimulim që kemi këto kohë është negativ dhe lodhës sepse gjithçka sillet rreth koronavirusit dhe kjo gjë vazhdon çdo ditë, e duket sikur s’ka fund. Mungesa e ndryshimit të ambientit shkakton gjithashtu vështirësi dhe drobitje.
Si ta ndihmoni veten në këto kohë të vështira.
Ekspertët thonë njëzëri: rutina është e rëndësishme për të mos e lënë mendjen të ikë. Vendosni një rutinë, me orare dhe angazhime të përcaktuara qartë. Kjo rutinë duhet të përfshijë gjumin, aktivitetin fizik, ushqyerjen e shëndetshme, kryerjen e punës, përkujdesin për anëtarët e familjes dhe kohë për veten. Koha për veten është e një rëndësie jetësore. Njerëzit janë krijesa sociale ama në rast pandemie, qëndrimi i të gjithë anëtarëve të familjes brenda katër mureve mund të jetë drobitës.
Ndaj është shumë e rëndësishme që në një orë të caktuar të ditës, secili prej nesh t’i përkushtohet vetes dhe të bëjë diçka që i pëlqen dhe heq mendjen nga stresi i ditës. Në aspektin social, psikologët thonë se është e rëndësishme që gjatë ditës të flisni me të paktën pesë persona jashtë familjes. Komunikimi me ta është i domosdoshëm për ju por edhe për ata. /agroweb


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë