Futboll

Liverpuli, 5 këmbana alarmi për Ancelotti-n

Nëse “dita e mirë duket që në mëngjes”, atëherë për Carlo Ancelottin, aventura e tij tek Napoli do të jetë një “ditë” e gjatë dhe e vështirë. Skuadra e drejtuar prej tij dështoi me sukses e turp në testin e parë serioz për këtë verë.

Liverpuli e shkatërroi skuadrën italiane duke fituar pastër 5-0. Dy gola u shënuan në 10 minutat e para të takimit, ndërsa tre të tjerë në pjesën e dytë.

Sigurisht, bëhet fjalë për një ndeshje miqësore, rëndësia e vetme e së cilës është testimi i lojtarëve, skemave dhe ideve të trajnerit në fushë.

Por, rezultati tregon që në të gjitha këto, skuadra e Carlo Ancelottit dështoi bindshëm dhe 5 golat e “The Reds” të Jurgen Klopp janë këmbana alarmi para nisjes së sezonit të ri të Serisë A, që për më tepër premton më shumë rivalitet.

Nga merkatoja e deritanishme, Napoli nuk konsiderohet më rivali i vetëm kryesor për Juventusin në luftën për dominim në kampionatin italian. Interi ka afruar disa lojtarë cilësore këtë verë dhe skuadra duket më e mira që prej 2010.

Po ashtu edhe Milani ka lëvizur në merkato, por pa shpenzuar shumë. Me një goditje afroi një mbrojtës premtues si Mattia Caldara dhe një sulmues të konfirmuar si Gonzalo Higuain, që të dy të marrë nga Juventusi në shkëmbim të rikthimit të Leonardo Bonuçi-t me fanelën bardhezi.

Pas nuk mbetet as Roma. Verdhekuqtë kanë humbur pak gjunj në mesfushë me largimin e Naingolan drejt Interit, por kanë shtuar teknikë me afrimin e Pastores nga PSG, ndërkohë që është ende në kërkim të një mesfushori qendror, për të mos e lënë barrën e këtij roli krejtësisht mbi shpatullat e veteranit De Rossi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë