Futboll

Liverpool triumfon edhe kur nuk luan bukur

Dihet tashmë që me blerjet në merkato, por edhe me grupin e krijuar në këto dy vitet e fundit rivalja më e madhe Manchester City në luftën për titullin e Premier League është Liverpool. “The reds” nën drejtimin e teknikut Klopp kanë bërë një start të shkëlqyer këtij kampionati, duke marrë dy fitore në dy ndeshje.

Në përballjen e kësaj jave me Crystal Palace, “të kuqtë” nuk e kanë pasur shumë të lehtë për të marrë tre pikët. U desh një penallti në fundin e pjesës së parë dhe një kundërsulm në fund të ndeshjes, që skuadra e Klopp të merrte fitoren e radhës 2-0 përballë një skuadre shumë të fortë, që këtë sezon me shumë mundësi do të rivalizojë për Kupat e Europës.

Nga pika e bardhë e penalltisë shënoi i përhershmi James Milner, në një aksion që më herët ishte krijuar nga këmbët e fenomenit të sezonit të shkuar Mohamed Salah. Në pjesën e dytë kombinimet Salah-Mane ishin shumë të këndshme për t’u parë, por që nuk po e çonin skuadrën e Klopp drejt golit.

Por kur u mendua se ndeshja u mbyll me një triumf minimal, ka ardhur një “magji” nga dy të zakonshmit Mane-Salah që kanë prodhuar golin e dytë në minutën e fundit të ndeshjes.

Liverpool pas kësaj fitore i bashkohet City dhe Chelsea në krye të klasifikimit të Premier League.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë