Ilir Meta preferoi të ndërmerrte rrugën në këmbë, nga Presidenca drejt Parlamentit, për të dhënë dëshminë e tij para komisionit hetimor se përse anuloi zgjedhjet e 30 qershorit dhe nxori një datë tjetër. I shoqëruar nga dy këshilltarët e tij, Bahri Shaqiri dhe Tedi Blushi, Meta nuk ka ngurruar që t’i përgjigjej edhe medias se është i bindur se do të qëndrojë si president, duke nënkuptuar se nuk do të shkarkohej. “Presidenca në mbrojtje të Kushtetutës. Nuk kam frikë, do jem President deri më 2021”, deklaroi Meta, ndërsa më pas ngjiti shkallët e Parlamentit, të institucionit që e drejtoi për katër vite, përpara se të bëhej president.
Në momentin kur media u fut në komisionin hetimor, presidenti Meta së bashku me këshilltarët e tij ishin ulur në komision dhe po bëheshin gati për të nisur betejën e përballjes me deputetët e mazhorancës dhe të opozitës se pse mori vendimin për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Ndërkaq në zyrën e Ruçit ishte kryeministri Edi Rama, i cili mësohet se ka ndjekur edhe nga zyra e kryeparlamentarit një pjesë të dëshmisë kreut të shtetit. Kryesocialisti kishte mbledhur më herët kryetarin e grupit të PS-së, Taulant Balla dhe ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Argumenti i parë që presidenti Meta nxori përpara komisionit se pse anuloi zgjedhjet e 30 qershorit në sqarimin e tij prej 20 minutash ishte vendimi i marrë nga Gjykata Europiane e Strasburgut në vitin 2015 në shqyrtimin e një çështjeje për rastin e Bullgarisë, ku ky shtet u ndëshkua me gjobë për shkak të shkeljes së drejtës të votuesve për t’u zgjedhur.
“Po e nis me çështjen e parë, mbrojtjes apo shkeljes së Kushtetutës, për të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur. Duhet të kemi parasysh se nuk ka shumë hapësira për të bërë interpretime se çdo të thotë të zgjedhësh, pasi Kushtetuta është e qartë, por edhe detyrimet që Shqipëria ka si vend që ka nënshkruar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e sqarojnë shumë mirë këtë. Kjo gjykatë më 2015 mori një vendim, i cili ka ardhur si rezultat i shqyrtimit të një çështjeje të ngjashme, ku disa shtetas bullgarë me origjinë turke kanë pretenduar shkeljen e të drejtës së votës. Gjykata tha: “Vota e çdo zgjedhësi duhet të krijojë mundësinë e këtij të fundit të ndikojë në formimin e organeve ligjvënëse, ndryshe edhe rendit demokrat do t’i mungonte e drejta në substancën e saj”. Për këtë çështje Bullgaria u dënua me një gjobë të caktuar. Besoj është e qartë që Presidenti mbrojti të drejtën e zgjedhjes së qytetarëve me dekretin, duke shmangur një proces jo demokratik të votimit me një kandidat”, deklaroi Meta.
Kreu i shtetit theksoi se ky detyrim vjen edhe nga vendimi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese ku thekson se presidenti është garant për të zbatuar marrëveshjen ndërkombëtare, duke përmendur këtu Kartën e Drejtave të Njeriut nenin 3 për zgjedhje të lira dhe të ndershme, e sipas standardeve, si dhe faktin se këto detyrime vijnë edhe si pjesë e marrëveshjes së Asoçim-Stabilizimit, MSA-në.
“Prandaj mandati i presidentit është pesëvjeçar dhe i qeverisë është katërvjeçar si pjesë e detyrimit për garancinë e zbatimit të marrëveshjes ndërkombëtare. Para parimit kushtetues dhe periodicitetit të zgjedhjeve është standardi dhe parësose është e drejta e zgjedhjes”, theksoi Meta. Disa herë presidenti përmendi zgjedhjet me 1 kandidat çka sipas tij e bënin të cenueshëm procesin e zgjedhjeve dhe në mos arritjen e standardeve.
Argumenti i dytë, siguria: Trazira se digjej Parlamenti më 8 qershor
Argumenti i dytë në këtë seancë i zhdekretimit të zgjedhjeve sipas presidentit ishte shkaku i rrezikut të destabilitetit të vendit dhe i konfliktit civil. Për këtë Meta në dëshminë e tij theksoi kishte marrë informacione të klasifikuara se do të kishte destabilitet në vend.
“Presidenti i Republikës për shkak të detyrës së tij ka pasur informacione të mjaftueshme si në rrugë zyrtare dhe shtetërore, nga institucionet më të larta qoftë dhe përmes burimeve të tjera për përpjekje për të organizuar akte destabilizimi në vend. Në mënyrë të veçantë në datën 7 qershor, një ditë para se presidenti të bënte publik vendimin e tij, ose paralajmërimin e tij për shfuqizimin e datës 30 qershor, ka marrë një informacion - i cili natyrisht ishte sekret dhe i kualifikuar, nëse komisionin dëshiron të njihet sigurisht mund të ndodhë - i cili bënte të qartë që persona të caktuar do të përpiqeshin të shfrytëzonin mitingun e caktuar nga opozita më 8 qershor,
Përveç, akteve të tjera edhe për djegien e Kuvendit të Shqipërisë. Sigurisht që ky ishte informacion i ri në këtë drejtim, por absolutisht që ishte i besueshëm po të kemi parasysh që protesta e mëparshme, ngjarjet e zhvilluara përpara Kuvendit të Shqipërisë, po të kemi parasysh pasojat nga këto protesta dhe nga këto konfrontime si rezultat i sfidave besoj kemi në konsideratë edhe deklaratat e Ministrisë së Brendshme por edhe gjithë aktorëve të tjerë për shumë policë e qytetarë të plagosur”, theksoi Meta.
Për të nuk kishte pse të priste që një gjë e tillë të ndodhte dhe më pas të merrte një vendim të tillë.
“Së bashku me ekipin tim të sigurisë kombëtare, bazuar në të gjithë këta informacione por edhe në këtë informacion që është sekret, shtetëror, i klasifikuar dhe nga të gjitha burimet e tjera që kemi pasus gjykuam se ishte momenti i duhur për të parandaluar një ngjarje që mund të sillte pasoja të mëdha. Mos harrojmë se historia e vendit tonë për fat të keq, nga 1 prilli në 21 janar ishte plot me ngjarje të tilla të hidhura ku përmes protestave, gjatë protestave kemi pasur edhe viktima dhe natyrisht që isha i bindur se ishte detyra ime si kryetar i shtetit, kryetar i Këshillit të Sigurisë kombëtare që të bëja gjithçka që në datën 8 qershor të evitohej në mënyrë të padiskutueshme një ngjarje e tillë dhe në këtë mënyrë të krijohej mundësi për një dritare për një reflektim midis palëve”, deklaroi presidenti.
Ai theksoi se dokumentin mund ta vërë në dispozicion të komisionit, nëse më parë do të deklasifikohej ai dokument nga institucioni që ia kishte ofruar një informacion të tillë, si dhe për faktin nëse anëtarët e komisionit të ishin të gjithë të pajisur me certifikatë sigurie.
Për këtë ai zbuloi edhe mesazhin që i kishte dërguar kryedemokratit Lulzim Basha për protestën përpara protestës. Meta deklaroi se ka komunikuar në telefon me Bashën atë ditë, madje edhe me përfaqësues të tjerë të opozitës, të cilëve ju ka kërkuar të largohen nga Kuvendi. “Ky ishte paralajmërimi im për Bashën kur e mora në telefon sapo filloi protesta. Kur u shfaqën para Kuvendit disa protestues komunikova me disa përfaqësues të opozitës, që të shmangeshin nga Kuvendi. Madje bëra dhe një thirrje që qytetarët të shpërndaheshin. Mesazhi ka qenë i qartë për Bashën dhe të tjerët, se nëse do të vazhdonin aty dhe do ndodhte diçka, përgjegjësia do ishte ekskluzive e tyre, sepse ishin paralajmëruar më parë për këtë gjë. Kishim nevojë të studionim edhe më shumë për shfuqizimin e 30 qershorit, vendosëm të bënim publik dekretin para fillimit të protestës për të parandaluar përshkallëzimin e protestës dhe për të shmangur drejtimin e protestuesve drejt Kuvendit të Shqipërisë. Ky ishte paralajmërimi im për Bashën kur e mora në telefon sapo filloi protesta. Kur u shfaqën para Kuvendit disa protestues komunikova me disa përfaqësues të opozitës, që të shmangeshin nga Kuvendi. Madje bëra dhe një thirrje që qytetarët të shpërndaheshin. Mesazhi ka qenë i qartë për Bashën dhe të tjerët, se nëse do të vazhdonin aty dhe do ndodhte diçka, përgjegjësia do ishte ekskluzive e tyre, sepse ishin paralajmëruar më parë për këtë gjë”, theksoi kreu i shtetit.
Pyetjes së deputetit Halit Valteri, i cili sulmoi direkt se ku e gjente të bazuar një gjë të tillë se pse ka shtyrë zgjedhjet, pasi nuk mbështet në asnjë nen, presidenti theksoi se kështu kanë vepruar pesë paraardhësit e tij. Duke kujtuar edhe faktin se edhe presidenti Ramiz Alia e shtyu me disa muaj zgjedhjet me qëllim që të kishte garë. “Janë disa Presidentë të Republikës që kanë vepruar në mënyrë të tillë apo të ngjashme për të ç'tensionuar situatën dhe për të garantuar pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje të përgjithshme apo vendore. Ka dhe deputetë me eksperiencë që mund t’ua shpjegojnë. Precedentin e parë e ka bërë Ramiz Alia në vitin 1991, i cili ka shtyrë zgjedhjet me dy muaj për ti dhënë kohë dhe mundësi opozitës së sapo krijuar që kërkonte rrëzimin dhe përmbysjen e tij që të merrte pjesë në zgjedhje. Këtu është dhe një fotografi historike e ditës më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë pas 29 nëntorit 1944 ku fati e solli që të isha dhe unë në emër të Lëvizjes Studentore dhe gjithë popullit shqiptar i kërkuam Ramiz Alisë në atë kohë pluralizimin politik. Jo vetëm e pranoi por me dekretin për shtyrjen e zgjehdjeve me 31 mars 1991 tregoi se të gjithë duhet të ishin në shërbim të pluralizimit politik njëherë e përgjithmonë. Kjo është e tepërt, përveç argumenteve ligjorë dhe konventave, t’i kërkosh një ish-studenti të Dhjetorit të heshtë pas 30 vjetësh, të heshtë dhe të kthehet në votime me një kandidat si njëherë e një kohë”, theksoi Meta, i cili nxori edhe një foto të takimit të studentëve të dhjetorit ’90 me presidentin Ramiz Alia, ku ai ishte edhe vetë prezent.
Gjithashtu pyetjes iu kundërpëgjigj me pyetje, duke i kërkuar deputetëve: Se ky është e përcaktuar se Qeveria apo Kuvendi duhet të shfuqizojë një ligj apo një VKM?
Por, pyetjes së së kryekomisionerit Ulsi Manja se pse nuk mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare pas këtij informacioni të marrë për trazira, kreu i shtetit iu përgjigj se edhe më parë kishte mbledhur këtë institucion sigurie që drejton, për rrezikun grabitjes së bankave gjë që e ndodhi, por që nuk u mor në konsideratë.
Kryekomisioneri Manja si i fundit në marrjen në pyetje të presidentit, kërkoi të dinte nëse presidenti mbajti anën e njërës palë, duke i mohuar të drejtën palës tjetër me nxjerrjen e një datë të re.
“Unë si kam mohuar askujt të drejtën e zgjedhjeve. Kam zhdekretuar 30 qershorin për të dekretuar një datë të re gjithëpërfshirëse në mënyrë që shqiptarët të kenë një datë të re dhe të drejtën e votës. Zgjedhjet me një kandidatit nuk janë aq të fshehta. Është votë e lexueshme, e dallueshme. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut është e vetmja që mund të bëjë interpretim të konventës evropiane”, theksoi Meta.
Gjithashtu ai u pyet edhe për faktin nëse ku ishte bazuar me nxjerrjen e dekretit të ri, duke kaluar fatin e periodicitetit në zgjedhje dhe a është mbrojtje e duhur që i bëhet Kushtetutës. “Presidenti nuk ka anuluar zgjedhjet. Nuk ka afat në Kushtetutë, përveç periodicitetit. Nuk caktova datë, pasi nuk dëshiroja të caktoja datë në kushte arbitrare, isha në kushtet e emergjencës. Për këtë nisa menjëherë bisedat e diskutimet me forcat politike. Data 13 tetor, është dhe në relacion, se pse është zgjedhur kjo datë. Në mënyrë që të garantohej pjesëmarrje. Sjellja ime është tërësisht në standarde kushtetutës, siç janë sjellë presidentët në rrethana të tilla të ngjashme. Në rast se kryeministri do të shprehte vullnetin për t’i dhënë mundësi opozitës, në tërësi, përfshirë dhe kandidatë të pavarur, për të realizuar një proces zgjedhor, besoj se situata do të ishte ndryshe. Isha i detyruar që të caktohej data zgjedhore, që mos t’i mohoja zgjedhjet shqiptarëve. Zhdekretimin e bëra në mbrojtje të zgjedhjeve”, theksoi Meta.
Pyetje së deputetëvë se pse nuk tentoi të ulte palët në gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi, presidenti iu pëgjigj se dekreti 13 tetor është ende në fuqi dhe se nëse ka ndonjë afat për kompromis mund të realizohej një gjë e tillë madje u shpreh edhe me një batutë se s’kishte se si të vepronte kur dy liderët kryesorë të politikë kishin vendosur që të vepronin si të çmendur. “Jam përpjekur të nxis palët për dakordësi, por duke hequr dy kushtet, të kryeministrit për të hequr 30 qershorin dhe të kreut të PD-së që Rama s’duhet të vinte në tryezë si kryeministër. Kur dy veta ‘çmenden’ ç’duhet të bëjë Presidenti? Dekretin ka presidenti për t’iu dhënë mundësi palëve të reflektojnë në interes të integrimit të qytetarëve dhe të mbarë vendit.” theksoi Meta.
Deputeti socialist Adnor Shameti e hodhi poshtë tezën e Metës se kështu kanë vepruar edhe paraardhësit e tij, duke theksuar se çdo gjë e ka kryer brenda afateve të ligjore të përcaktuara. Sipas tij, edhe Alia veproi në një situatë krejt tjetër, por edhe ai vendim u mor në një kornizës tjetër ligjore. “Nëse unë kam gabuar atëherë edhe presidentët e tjera kanë gabuar me shtyrjen e zgjedhjeve u shpreh Meta.
Ai u pyet nga deputeti i opozitës, Alimadhi nëse dekreti i tij solli zgjidhje të krizës, pajtim apo përçarje? “Fakti që u qetësua situata pas 10 qershorit, nuk kemi pasur probleme apo përplasje. Më 30 qershor mund të kishim pasur një situatë tjetër jo të mirë në gjithë vendin. Kjo është e qartë”, theksoi ai. Kreu i shtetit i qëndroi edhe një herë idesë se zgjidhja e krizës vjen nga zgjedhjet e reja më 13 tetor, duke bërë zgjedhje të përgjithshme dhe lokale, pse jo edhe për presidentin, si një referendum që ai ka gabuar.
Për rreth dy orë presidenti ka dëshmuar përpara komisionit , ndërsa përgjatë gjithë kohës piu katër shishe ujë, e në fund e mbylli me batutë me socialistin Bashkim Fino. “Kam dëgjuar se jeni shprehur se unë e kam personale me ju, por nuk është e vërtetë. Nuk kam asgjë personale me ju, për mua ju keni qenë i preferuari gjithmonë nga ana ime”, iu shpreh Meta. Ndërsa presidenti në mbyllje nuk ngurroi që ta ftonte Finon për një kafe në presidencë, gjë që socialisti nuk e refuzoi.
Në largim Meta bëri një dalje pa pasur ndonjë shtrëngim duarsh me deputetët e mazhorancës apo dhe të opozitës, por iu drejtua me batuta vetëm gazetarëve me pyetjen se si iu dukej komisioni. Ndërsa mësohet se përpara ikjes Presidenti ka pirë një kafe me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi në zyrën e këtij të fundit. Ka qenë vetë Ruçi që i ka kërkuar Metës që të pinin një kafe përpara largimit. Në zyrë Meta ka qenë i shoqëruar nga dy këshilltarët e tij, Tedi Blushi dhe Bahri Shaqiri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.