Lulzim Basha e pati paralajmëruar se protesta e 21 qershorit do të ishte krejtësisht paqësore dhe kështu ndodhi. Dhuna i la vendin simbolikës së frymëzuar nga përgjimet e publikuara nga dosjet “339” dhe “184” në protestën e nëntë kombëtarë të thirrur nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj.
Të rinjtë demokratë zbarkuan para orës 20:00, orë kur ishte thirrur grumbullimi para godinës së Kryeministrisë. Me fotot e personazheve të përgjimeve, përfshirë këtu “Bablokun”, që sipas përgjimeve të publikuara nga “Bild”, Imer Lala i referohet Kryeministrit Edi Rama, ata u vendosën të shtrirë në krevatë të improvizuar, për të treguar simbolikisht se Edi Rama dhe qeveria e tij fle me krimin.
“Skenografia” plotësohej me në sfond zërin e dalë nga audiopërgjimet e fundit të publikuara nga gazeta gjermane, që ishte vendosur në gjithë sistemin audio të instaluar në bulevard. Kjo ishte simbolika e parë, që lidhej drejtpërdrejtë me akuzat e opozitës, që thotë se Rama bleu votat në bashkëpunim me krimin dhe tani po kërcënon pluralizmin përmes mbajtjes së zgjedhjeve pa opozitën më 30 qershor.
Pikërisht me pluralizmin lidhej simbolika e dytë e protestës. Protestuesit zbuluan shtatoren e Enver Hoxhës, me ndryshimin se në vend të portretit të diktatorit që për gjysmë shekulli vrau për t’u mohuar pluralizmin shqiptarëve ishte vendosur portreti i Edi Ramës. Partia Demokratike heq shenjën e barazisë mes Ramës dhe Enver Hoxhës dhe Kryeministrin si armik të pluralizimit për shkak të këmbënguljes së tij për të zhvilluar zgjedhjet më 30 qershor, pavarësisht bojkotit të opozitës.
Shtatorja ishte e vendosur mbi një podium mbi të cilin shkruhej “Rilindje” dhe në këmbët e saj qëndronin dy thasë, një me simbolin e euros dhe tjetri me shënimin “votat”, si simbol, sipas demokratëve i blerjes së votave nga ana e mazhorancës. Duke vazhduar me krahasimin, protestuesit rivunë në skenë ngjarjet e shkurtit të 1991 dhe rrëzuan duke tërhequr me litar shtatoren improvizuese.
Lulzim Basha u nis së bashku me bashkëshorten, Aurelën dhe dy vajzat e tij nga selia e Partisë Demokratike, thuajse në të njëjtën kohë që në krahun e kundërt linte selinë e LSI-së Monika Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së shfrytëzoi mediat për të përçuar një mesazh në thelb të njëjtë me atë të përçuar nga Presidenti Ilir Meta përmes një deklarate të shkurtër të shpërndarë nga Presidenca, ku bëhej thirrje për protestë paqësore. Kryemadhi tha se protestat e opozitës kanë qenë gjithmonë paqësore dhe se aktet e dhunës, përfshirë edhe ato me bomba molotov dhe hedhje fishekzjarresh në drejtim të forcave të policisë dhe Gardës së Republikës kanë ardhur si pasojë e provokatorëve të vendosur nga Edi Rama.
Kryetarja e LSI-së komentoi edhe deklaratat e ndërkombëtarëve dhe përfaqësive diplomatike të tyre në Tiranë. Ajo mohoi se ka patur gjatë së premtes një takim me një delegacion të ambasadës amerikane në zyrat e partisë që drejton dhe tha se ambasadat e huaja nuk mbrojnë interesat e shqiptarëve, por interesat e vendeve të tyre.
Rrugët e dy drejtuesve kryesorë të opozitës u bashkuan në podiumin e ngritur para godinës së Kryeministrisë, por para protestuesve të mbledhur aty vetëm Lulzim Basha foli. Dy ishin mesazhet e përsëritura më shpesh prej tij. Mesazhi i parë dhe më i përforcuar këtë protestë ishte ai i refuzimit të dhunës dhe akuzës ndaj Edi Ramës se kishte një skenar për ta trazuar protestën opozitare.
“Skenari i Edi Ramës i provokimit me gurë të kësaj proteste më të madhe, më gjigante dhe më europiane dështoi. Plani i tij dhe shërbëtorëve të tij dështoi me sukses, plani për të tërhequr vëmendjen nga skandalet, dështoi. Tik-taku i orës së Edi Ramës po mbaron në çdo kancelari të Europës dhe të perëndimit. Sot e gjithë bota sheh popullin më europian përballë bandës kriminale më antieuropiane dhe antiamerikane. Sot vulosim vdekjen politike të organizatës kriminale të Rilindjes, pa kosto për asnjë qytetar dhe qytetare shqiptare, sepse largimi i sigurtë i Edi Ramës nuk vlen as sa fijet e flokut të asnjërit prej jush”, deklaroi Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike nuk e shtjelloi më shumë se çfarë skenari dhune të Edi Ramës kishte zbuluar opozita, por gjatë gjithë manifestimit, të rinj të forumeve rinore të PD dhe LSI-së me shenja dalluese në krah u vendosën në mes të protestuesve dhe forcave të policisë, duke shmangur skenat e para shpesh këto muaj në protesta të ngjashme.
Mesazhi i dytë i Lulzim Bashës ishte ai i përsëritjes së premtimit se nuk do të tradhtonte kauzën për të cilën kishte thirrur njerëzit në shesh, duke u ulur në një tryeze dialogu me Edi Ramën.
“Nuk do ta kthejmë kurrë këtë energji dhe besim në një kapital për të negociuar një pazar në tavolinën e pistë të Edi Ramës. Edi Rama është një hajdut dhe kriminel gjakftohtë që për pushtetin e tij shkatërroi gjithçka. Zotimi im i 16 shkurtit qëndron dhe do të qëndrojë në fuqi. Nuk ka dhe nuk do të ketë negociata me Edi Ramën kryeministër. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë marrëveshje me Edi Ramën kryeministër”, tha Basha.
Në fund, Basha ftoi pjesëmarrësit në marshimin e zakonshëm në drejtim të godinës së Parlamentit, aty ku janë parë edhe episodet më të forta të dhunës mes protestuesve dhe forcave të sigurisë. Këtë herë gjithçka kaloi e qetë dhe nga Parlamenti, Basha udhëhoqi turmën në drejtim të selisë së Partisë Demokratike, ku dha edhe mesazhin përfundimtar, para se të hynte në mbledhjen e kryesisë së Partisë.
Në fund të kësaj mbledhjeje u vendos përshkallëzimi i mobilizimit opozitar në protestat në rrethe. “Protesta kudo ku shkel Rama”, thanë burimet nga mbledhja e kryesisë dhe ish-grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Burimet thanë për gazetën “Si” se Lulzim Basha në fjalën e tij ka kërkuar që të vijojnë kontaktet me qytetarët për t’i informuar ata, sipas PD-së, mbi rrezikun që po i kanoset demokracisë dhe pluralizmit në vend nga Edi Rama. Basha është shprehur i bindur se zgjedhjet e parakohshme nuk do të vonojnë shumë. “Partia Demokratike po përgatitet për zgjedhjet e parakohshme”, citohet ai.
Të gjithë protestuesit nisën të shpërndaheshin, përveç një grupi të vogël që të kryesuar nga kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi iu drejtua Drejtorisë së Policisë për të kërkuar lirimin e ish-deputetët Bardh Spahia, i ndaluar mbrëmjen e së enjtes.
Protesta u mbyll e qetë duke mos regjistruar asnjë incident. I pari që e përshëndeti nga mazhoranca ishte kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, që përmes një postimi në rrjetet sociale nuk kursen ironinë.
Vetë Edi Rama nuk ndodhej në Tiranë. Ai kishte udhëtuar në drejtim të Butrintit për të ndjekur koncertin e Karla Brunit, bashkëshortin e të cilës, ish-Presidentin francez, Nikolas Sarkozi e takoi gjatë ditës. Kryeministri postoi në Instagram një klip të shkurtër familjarisht, ku në sfond dëgjohet Karla Bruni.
Protesta mbërrin pas serisë së radhës të përgjimeve të publikuara nga gazeta gjermane “Bild”, shkatërrimit të materialeve zgjedhore në disa bashki të kontrolluara nga e djathta dhe përshkallëzimit të akuzave e kundërakuzave me mazhorancën.
Lulzim Basha premtoi të enjten se protesta do të ishte paqësore.
“Unë nesër do të dal në protestë me familjen time, me dy vajzat e mia dhe u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të vijnë me fëmijët e tyre, me bashkëshortet e tyre, sepse do të jetë protesta më e madhe dhe më qytetare që ka njohur ndonjëherë Shqipëria”, deklaroi ai në një lidhje telefonike me emisionin "Opinion" ditën e enjte.
Për protestë paqësore bëri thirrje edhe Presidenti Ilir Meta. “E drejta për të protestuar është një e drejtë themelore, protesta duhet të jetë paqësore, larg çdo akti dhune. Protestuesit të vetëpërmbahen. Zgjidhja e krizës vjen vetëm përmes dialogut”, thuhet në një mesazh të shkurtër të shpërndarë nga Presidenca.
Gjithsesi, as deklarata e Bashës dhe as thirrjet e ndërkombëtarëve dhe të Presidentit Ilir Meta nuk u vlerësuan si garanci të mjaftueshme nga Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës.
Godina e Kryeministrisë dhe ajo e seancave plenare të Kuvendit u rrethuan me gardhe metalike dhe tela me gjemba. Rreth 1300 forca policore u vunë në gatishmëri përballë protestuesve për cdo rast, si gjithmonë të pajisur me autobotet me topa uji, gazin dhe sprajin lotsjellës, që fatmirësisht këtë herë nuk u përdorën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.