Politike

BE: Përgjegjësi e liderëve të protestës për të shmangur dhunën

Pak para protestës së opozitës dhe pas deklaratave të forta të Ambasadës Amerikane dhe asaj të Gjermanisë, reagon edhe Delegacioni i BE-së në Tiranë. “Ne e respektojmë dhe e mbështesim plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve të Shqipërisë për të demonstruar. Por në  të njëjtën kohë, vazhdojmë të theksojmë rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Ne jemi të shqetësuar nga episodet e fundit të dhunës që kanë ndodhur në disa rajone të vendit. Asnjë akt i dhunshëm apo formë e nxitjes për dhunë nuk mund të tolerohen në asnjë rrethanë”, thotë BE që i kujton liderëve të opozitës se gjithçka është përgjegjësi e tyre.

“Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e liderëve të protestës për të siguruar që demonstrimet sonte të mbahen në mënyrë të sigurt si për pjesëmarrësit ashtu dhe për banorët Tiranës, si dhe për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave. Përdorimi i eksplozivëve apo i çdo sendi tjetër që mund të shkaktojë lëndime është krejtësisht i papranueshëm. Autoritetet e zbatimit të ligjit gjithashtu kanë përgjegjësinë që të vazhdojnë të veprojnë me përmbajtje, edhe nëse provokohen”, vijon deklarata.

Bashkimi Europian rithekson se vazhdojmë t'i bëjmë thirrje të gjitha palëve për të treguar vullnet të fortë politik dhe për t'u angazhuar urgjentisht në një dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën politike aktuale, si dhe për të mbështetur dhe konsoliduar progresin e bërë nga Shqipëria në procesin e reformave.

Apeli i Gjermanisë para protestës së opozitës: Dhuna, e papranueshme

Edhe ambasada e Gjermanisë i ka bërë sot apel opozitës për zhvillimin e një proteste paqësore, duke paralajmëruar organizatorët e manifestimit që pritet të nisë në orën 20:00 se dhuna është e papranueshme.

“Liria e tubimeve dhe e drejta për të demonstruar paqësisht janë kolonat e çdo demokracie. Ndërsa dhuna e çdo lloj forme është e papranueshme! Duke pasur parasysh demonstratën e njoftuar për mbrëmjen e sotme u bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të respektojnë ligjet në fuqi. Prej organizatorëve pres të angazhohen me të gjitha mundësitë për një zhvillim paqësor të protestës si dhe të jenë në lartësinë e përgjegjësisë së tyre përmes apelit publik për protesta paqësore”, thotë në një njoftim zyrtar Ambasadorja gjermane në Tiranë.

Ajo thekson po ashtu se është duke ndjekur me shqetësim të madh edhe trazirat e dhunshme në qyteteve të ndryshme të Shqipërisë duke u bërë bëj thirrje të gjitha palëve të heqin dorë edhe nga sulmet verbale e të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre për vendin.

“Një gjë është e qartë: mësymjet e dhunshme nuk janë mjete legjitime të përballjes politike”, thuhet në reagimin zyrtar.

Ambasada ka paralajmëruar po ashtu qytetarët gjermanë në Tiranë që të shmangin zonat ku do të mbahet protesta, duke theksuar se nuk përjashtohet përdorimi i dhunës dhe gazit lotsjellës.

“Për mbrëmjen e qershorit 2019, 21, opozita ka bërë thirrje për një demonstratë të madhe në Tiranë pranë selisë së qeverisë, në lagjen e afërt të ish “Blloku”, nuk mund të përjashtohet protesta e dhunshme dhe përdorimi i gazit lotsjellës” thuhet në parlajmërimin e Ambasadës Gjermane”.

“Edhe në qytete të tjera të Shqipërisë mund të ketë protesta të mëtejshme dhe protesta të dhunshme para, gjatë dhe pas zgjedhjeve lokale më 30 qershor 2019. Qytetarëve gjermanë i rekomandohet fuqimisht të ndjekin mediat lokale, të shmangin demonstrimet dhe grumbullimet e mëdha njerëzore dhe gjithmonë të ndjekin udhëzimet nga forcat e sigurisë”, thekson deklarata.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë