Politike

Protesta e parë pas 30 qershorit, Basha: Reforma të thella, por pa Ramën

Partia Demokratike dhe aleatët e saj thirrën protestën e radhës kombëtare, e para e këtij lloji pas zgjedhjeve të 30 qershorit, që opozita i vlerëson si farsë elektorale që provuan se shqiptarët kanë braktisur Edi Ramën.

Grupet e para të protestuesve të opozitës u shfaqën para godinës së Kryeministrisë pak pas orës 19:00. Të rinjtë e forumeve rinore kishin menduar imitimin e një procesi votimi në mes të bulevardit. Aty u vendos një kuti fletësh votimi me mbishkrimin “Zgjedhjet për pushtetin vendor, 30 qershor 2019”, e cila u mbush me fletushka të verdha me shënimin “Rama ik”.

Sipas organizatorëve, “Rama ik” ishte rezultati i vërtetë i zgjedhjeve të 30 qershorit. Opozita thotë se shqiptarët e bojkotuan Kryeministrin Edi Rama dhe 85 për qind e tyre nuk morën pjesë në atë që e cilëson farsë zgjedhore, e zgjedhje moniste.

Në fjalën e mbajtur para mbështetësve të mbledhur në Bulevard, Lulzim Basha e lexoi 30 qershorin si një referendum, nga i cili humbi Edi Rama.

“30 qershori ishte një referendum kundër së keqes. Ishte demonstrimi i mrekullueshëm i lirisë, i europianizmit dhe qytetarisë së shqiptarëve. 30 qershori ishte dita kombëtare e kurajos, kur shqiptarët treguan se ata kanë forcë të ndahen nga e keqja. 30 qershori ishte dita e popullit, kur shqiptarët treguan se janë kundër regjimit kriminal të Edi Ramës”, deklaroi ai.

Basha tha se sot në vend të gjitha pushtetet janë përqëndruar në duart e një njeriu të vetëm; Edi Ramës.

“Shqipëria sot është një vend pa ligj është një vend pa rregulla, është një vend pa drejtësi. Në Shqipëri sundon Njëshi. Në Shqipëri mbretëron një njeri i vetëm. Të gjitha pushtetet i ka Edi Rama. Ai është ligj. Ai është kryeministër. Ai është parlament. Ai është prokuror dhe gjykatës. Ai është kryebashkiak. Ai është kryeredaktor. Ai është kryetenderues. Ai është drejtor”, vijoi ai.

Kreu i PD-së përjashtoi mundësinë e zgjidhjes së krizës pa largimin e Edi Ramës, ndërsa premtoi reformim të thellë për vendin.

“Ata që sollën krimin në politikë, nuk do të dalin nga kriza si shpëtimtatë, por si përgjegjës. Vetëm kjo e shpëton të ardhmen europiane të Shqipërisë”, tha ai.

Basha lëshoi edhe dy paralajmërime. I pari u adresohej zyrtarëve të korruptuar, i dyti kriminelëve të lidhur me ta.

“Përgatituni për ditën e gjykimit! Drejtësia ka vonuar, por drejtësia nuk do të mungojë. Ne do t’ju shtypim pa mëshirë! Do ta pastrojmë Shqipërinë nga fara juaj shkatërrimtare”, premtoi Basha.

Pas përfundimit të fjalës, Lulzim Basha udhëhoqi turmën në drejtim të godinës së Parlamentit. Rruga e ndjekur ishte e zakonshmja, ashtu si më 21 qershor. Protestuesit iu drejtuan bulevardit dhe më pas u futën në pedonalen mes Galerisë së Arteve dhe godinës së Ministrisë së Brendshme për të kaluar para godinës së Parlamentit.

Këtu u regjistrua një incident i vogël. Mbështetës të opozitës larguan kangjellat që siguronin distancën mes tyre dhe forcave “Shqiponja” të Policisë së Shtetit dhe u kërkuan punonjësve që të hiqnin uniformat dhe t’i bashkoheshin protestës.

Megjithatë, përplasje fizike nuk pati dhe Basha udhëhoqi pjesën më të madhe të protestuesve në drejtim të selisë së Partisë Demokratike.

Ish-Kryeministri Sali Berisha u tregua më i ashpër ndaj Ramës. Ai akuzoi Kryeministrin për pucc shtetëror me nismën për shkarkimin e Ilir Metës edhe pse, sipas Berishës, ndërkombëtarët thanë se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë dekretet e Presidentit. Berisha foli për një kryengritje masive opozitare, ndërsa sa i takon aksionit në vazhdim, tha se i takon udhëheqjes opozitare për të vendosur për këtë. Berisha thotë se për aferta korruptive dhe shkeljet e ligjeve, Rama rrezikon 37 vite burg.

Gjate dites, Basha bëri thirrje për pjesëmarrje masive dhe paqesore. Ftesa është përsëritur përmes një spoti të shpërndarë nga Basha përmes rrjeteve sociale. Kreu i PD-së dhe drejtues të tjerë të opozitës kanë postuar vazhdimisht ditët e fundit thirrje për t’iu bashkuar tubimit të kësaj të hëne, i pari i organizuar nga opozita pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

Bashkë me thirrjet për pjesëmarrje, drejtuesit opozitarë kanë bërë edhe thirrje për një protestë të paqtë dhe kundër dhunës.

Thirrje për protestë paqësore bëri edhe Presidenti Ilir Meta. Ky ishte reagimi i parë i Metës pas deklaratave të forta të Edi Ramës në seancën plenare ku u votua ngritja e Komisionit Hetimor ndaj tij. Si e tillë, deklarata shënjestron mazhorancën dhe përshëndet protestuesit.

“Ndërsa drejtuesit e Opozitës së Bashkuar ju kanë ftuar sot në një protestë kombëtare kundër votimeve socialiste të 30 qershorit, dua të përshëndes mbi 85% të qytetarëve, të cilët bojkotuan një proces “fake”, më të shëmtuarin që mund të ndodhte në kontinentin tonë të civilizuar, pas 3 dekadash që kur vendi ynë u nda nga regjimi më shtypës i të drejtave të njeriut që njohu e gjithë Europa ish-komuniste. Ndaj një mirënjohje të gjithë shqiptarëve, të cilët bojkotuan farsën më të turpshme që mund të bënte vendi në këto momente kur klasa politike duhet të tregonte përgjegjësi dhe vizion europian”, shkruan Meta.

Gjithsesi, përfaqësite diplomatike perëndimore u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre që të tregohen të kujdesshëm, ndërkohë që sa i takon kohëzgjatjes së protestës, as nga opozita dhe as nga policia nuk mund të japin një orë të saktë. Gjithashtu, Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kanë përforcuar masat e sigurisë. Godina e Parlamentit dhe e Kryeministrisë janë rrethuar me kangjella të lëvizshme, ndërkohë që 1500 forca do të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo rast.

Më Shumë