Politike

Meta mbështet referendumet: Të vendoset edhe në Kushtetutë

Presidenti Ilir Meta iu bashkua një nisme të shoqërisë civile për miratimin e një projektligji që u mundëson qytetarëve të vendosin përmes referendumit për çështje që prekin interesin publik.

Meta e përshëndeti këtë nismë, madje shkoi përtej kësaj duke kërkuar që referendumi të përcaktohet jo vetëm përmes një ligji, por edhe në Kushtetutë.

“Asgjë e mirë, e sigurtë dhe europiane nuk ndodh në Shqipëri pa u ndërtuar ligji për referendum dhe pa u bërë ndryshimi në Kushtetutë, që çdo ndryshim të bëhet me referendum. Nuk besoj se kemi më arsye që t’i besojmë çdo politikani, përfshirë edhe mua”, tha Meta.

Presidenti vlerëson se referendumi është forma më legjitime e vendimmarrjes së popullit dhe mjeti më i sigurtë, tregues i demokracisë së drejtpërdrejtë dhe gjithpërfshirës i tregimit real të shumicës.

“I është mohuar popullit shqiptar në mënyrën më antikushtetuese dhe të pabesë”, u shpreh Presidenti.

Meta thotë se burimi i shndërrimit të demokracisë parlamentare në atë që e quan demokraci të kryetarëve të partive dhe të oligarkëve daton në vitin 2008.

“Ndryshime kushtetuese të udhëhequra nga interesa politike afatshkurtra, në 2008 që i dha goditje në zemër sistemit parlamentar dhe na çoi nga demokracia parlamentare tek demokracia e kryetarëve dhe oligarkëve. Kjo është arsyeja se përse dje 97 copë deputetë refuzuan BE dhe çeljen e negociatave jo vetëm deri në 25 prill, por deri në zgjedhjet pas 25 prillit”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë