Politike

Çfarë parashikon nisma e shoqërisë civile për referendumet

Një nga risitë e Projektligjit “Për Referendumet” të hartuar nga qendra "INFOCIP" dhe partnerët e sektorit të Shoqërisë civile është heqja e barrës financiare të organizimit të referendumeve grupeve nismëtare. Kjo barrë i ngarkohet nga ky projektligj buxhetit të institucioneve publike. Parashikimet e deritanishme që gjenden në Kodin Zgjedhor ngarkonin me barrë financiare grupin nismëtar të referendumit, të cilët duhet të përballonin me shpenzimet e tyre mbledhjen e firmave dhe fushatën referendare.

Parimi i barazisë dhe aksesit të barabartë në buxhetin e shtetit për nisma ligjore është në këtë nismë ligjvënëse. Konkretisht nëse referendumi kushtetues apo ai konsultativ, që realizohet me nismë të Kuvendit, apo Këshillit të Ministrave përballohen 100 për qind nga buxheti i shtetit, që nga nisma e deri në shpalljen e rezultatit, i njëjti parim aplikohet edhe për referendumet e iniciuara nga grupet e qytetarëve apo subjekte të tjera jo-qeveritare të legjitimuara për inicimin e tyre.

Grupet nismëtare të referendumeve, të cilat janë kontaktuar nga INFOÇIP në fazën e konsultimit të këtij projektligji, përveç barrierave ligjore dhe burokratike, janë përballur edhe me kosto direkte financiare për legjitimimin e procesit. Kjo rrethanë e padrejtë, ka dobësuar edhe më tej aksesin e tyre në të drejtën referendare dhe shkon në kundërshtim me frymën e kushtetutës e cila promovon ushtrimin e sovfanitetit të popullit përmes demokracisë direkte. Në këtë projektligj, barra financiare për nisjen e fazës përgatitore të një procesi referendar subvencionohet 100 për qind nga shteti, duke afirmuar parimin e barazisë së armëve dhe mos-diskriminimit në vendimarrjen publike.

Hartuesit e këtij projekt-ligji kanë pranuar premisën se nismëtarët e një referendumi, për nga vetë natyra e këtij të fundit, i shërbejnë një interesi të lartë publik dhe jo interesit personal, apo partiak. Rrjedhimisht, kostot e nismës së tyre duhet të mbulohen nga fonde publike dhe jo nga paratë e buxhetit të tyre familjar, sic ka qënë praktika diskriminuese deri më sot.

Çdo shtetas shqiptar, brenda apo jashtë vendit, me të drejtë vote, që plotëson kushtet për të qenë zgjedhës, ka të drejtë të marrë pjesë në referendum. Shteti, përmes institucioneve dhe financave publike, garanton që shtetasit shqiptarë në referendum të shprehin vullnetin e tyre në mënyrë të drejpërdrejtë, me votim të lirë e të fshehtë. Kjo është një pasqyrim i drejtpërdrejtë i përcaktimeve kushtetuese që përmban neni 8 i saj, paragrafi 2, sipas të cilit “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet“. E drejta për të ushtruar sovranitetin drejtpërsëdrejti është një e drejtë kushtetuese dhe rrjedhimisht një e drejtë e garantuar përmes këtij projektligji.

Për të mundësuar efektivisht të drejtën e marrjes pjesë në referendum të çdo shtetasi shqiptar me të drejtë vote, projektligji referon tek nënshkrimi elektronik, si një realitet ligjor në Republikën e Shqipërisë. Nënshkrimet për një nismë referendare mund të mblidhen edhe në rrugë elektronike, online përmes portalit që mundësohet për këtë qëllim sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.

Grupi Nismëtar i referendumit, në përputhje me standardet ligjore në fuqi në Republikën e Shqipërisë për nënshkrimin elektronik dhe ofruesit e këtij shërbimi, ka të drejtë të kërkojë përdorimin e këtij shërbimi pa pagesë nga Autoriteti përkatës, sipas parashikimeve që përmban ligji Ligji Nr.9880, datë 25.2.2008 “Për nënshkrimin elektronik”, i ndryshuar.

Ofruesit e shërbimit të certifikimit për mbledhjen e nënshkrimeve elektronike online duhet të garantojnë mbrojtjen e të dhënave personale dhe identifikimin e nënshkrimeve. Mbledhja e nënshkrimeve online është pa pagesë. Në çdo rast, pas një nënshkrimi online në portalin përkatës, sistemi mundëson printimin e një çertificate që e provon këtë nënshkrim. Aktualisht Shqipëria ka bërë progres të ndjeshmë në përdorimin e paltformave online për të ofruar shërbime publike. Komisioni Europian ka publikuar për vitin 2019 raportin vjetor “e Government Benchmark”, matja e performancës së e-Qeverisjes, ku Shqipëria është vlerësuar si e para në rajonin e Ballkanit për Qeverisjen Elektronike.

Ky raport vlerëson përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në sektorin publik. Vlerësimi bëhet mbi zhvillimin e shërbimeve publike online me në qendër qytetarin, transparencën e ofrimit të tyre dhe përfshirjen e te ashtuquajturave ‘key enablers’, të cilat masin para-kushtet teknike dhe organizative për ofrimin e shërbimeve elektronike si identifikimi elektronik dhe ndërveprimi mes sistemeve.

Duke shtrirë aplikimin e këtyre shërbimeve edhe për mundësimin e proceseve referndare, Shqipëria konsolidon pozicion e saj dhe ka potencialit të bëhet një vend lider në rajon sa i takon përdorimit të teknologjisë për të rritur demokratizimin dhe pjesëmarrjen.

Në sfondin e përvojës së pandemisë COVID 19, përdorimi i sistemeve online është një domosdoshmëri sa i takon procesit të mbledhjes së firmave nga qytetarët për të legjitimuar përmes nëshkrimit elektronik marrjen e nismës referendare. Në vlerësimin e INFOÇIP, nënshkrimi elektronik është mjet i rëndësishëm për të lehtësuar apo garantuar aksesin në të drejtën referndare të shtetasve shqiptarë.

Nga një interpretim ad-hoc i nenit 2 të Kushtetutës, zgjedhësit nuk kanë të drejtë të shtrojnë në referendum çështje që lidhem me taksat dhe detyrimet financiare të shtetit. Vetë-taksimi, në kuptimin e këtij ligji, është e një e drejtë pozitive, që nuk interferon me të drejtën e organit përfaqësues, por përkundrazi e plotëson atë. Referendumi për çështje të vetë-taksim është një proces thellësisht demokratik dhe i legjitimuar në një numër të vendeve të BE, sidomos në nivel të referendumeve vendore. Modeli polak që ka mbajtur më shumë parasysh ky projektligj në draftimin e tij e parashikon këtë të drejtë referndare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë