Lajme

Lista zyrtare e shkollave që do të rindërtohen pas tërmetit

Edhe pse kanë kaluar 1 muaj e 12 ditë nga tërmeti që ra në vend në fundnëntor, ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga pushteti lokal për situatën e shkollave.

Gazeta “Si” disponon një listë të lëshuar nga Drejtoria Arsimore e Tiranës, ku nga 19 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme me probleme të shkaktuara prej tërmetit, 13 rezultojnë për rindërtim, një është shembur, 2 janë për rikonstruksion dhe 3 janë hapur pjesërisht me nisjen e shkollës më datën 6 janar. Pesë prej shkollave që do të rindërtohen janë në qytet, kurse tetë në njësitë administrative të Tiranës.

Kurse të prekurit e drejtpërdrejtë, fëmijët dhe prindërit e tyre, ata që aktualisht vijojnë mësimin në institucionet arsimore të verifikuara për dëmet, vijojnë ende të jenë të shqetësuar dhe jo me besim të plotë se gjithçka është në rregull.

Enerjetës vajza i studion në klasën e gjashtë në shkollën 9-vjeçare “11 janari” në zonën e Ish Bllokut.

“Shkolla pati dëmtime që shiheshin me sy. Por duke qenë se nuk jam me profesion inxhiniere nuk mund të vlerësoja rëndësinë e dëmtimeve. Ajo që mund të them, ashtu si shumë prindër të tjerë me të cilët bisedova, ishim të frikësuar për fëmijët. Si fillim aktin e inspektimit nuk donin të na i vinin në dispozicion, pasi e pamë nuk ishte bindës. Si fletë bakalli. Disa prindër me profesion inxhinierë dhe me biznese private në këtë fushë kërkuan të bënin falas një inspektim paralel për tu qetësuar ne si prindër. Pas shumë debatesh, nuk u realizua dhe fëmijët vijojnë të ndjekin mësimin në shkollën e meremetuar”- shprehet për gazetën “Si” Enerjeta.

E bija, Damina thotë se fillimisht kishin frikë, kur hynë në shkollë. “I suvatuan pjesët e dëmtuara sipër dhe kaq”- shprehet ajo.

Kurse në shkollën 9-vjeçare ngjitur, “Emin Duraku” prindërve iu desh të qëndronin 10 ditë jashtë sëbashku me fëmijët në formë bojkoti për tu siguruar nëse shkolla ku ata do të linin fëmijët çdo ditë për më shumë se gjysmë dite, ishte e sigurt dhe nuk iu rrezikonte jetën.

Disa mësuese në mënyrë kofidenciale do të shpreheshin në atë kohë se ishin të frikësuara për jetën e nxënësve, pasi shtesa e ndërtuar në 2006 ishte jashtë funskionit me dëmtimet e shkaktuara prej tërmetit të 26 nëntorit.

Shkolla në fjalë i është nënshtruar gjithashtu edhe rikonstruksionit në vitin 2016.

Por, shtesa e shkollës ka pasur probleme serioze me strukturën, kurse godina e vjetër sipas drejtorisë së shkollës rezulton në rregull.

Edhe shkolla “Musine Kokalari” është rikonstruktuar në vitin 2016, por edhe ajo është mbyllur prej dëmtimeve të pësuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Nxënësit e kanë zhvilluar mësimin në mjediset e shkollës “Betim Muço”, dhe shkolla u hap më 6 janar.

Gjimnazi “Sami Frashëri” në bankat e të cilit ulen çdo ditë gati 1500 nxënës, i rikonstruktuar në korrik të 2018-ës, i është vënë shiriti i kuq pas tërmetit të 26 nëntorit.

"Sami Frashëri"

Shkolla është rrethuar me rrjeta të imta prej të cilave është vështirë të shquash se çfarë ka përtej asaj që duket.

Thonë se aty po punohet, ndërsa nxënësit mësimin e kryejnë pasdite pranë shkollës “Çajupi”.

Gjimnazi “Sami Frashëri” pati dëmtime të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit. Një nga tavanët e tij ra menjëherë pasi një grup nxënësish sapo kishin përfunduar provimin e gjermanishtes. Për këtë, në ato ditë do të shkarkohej nga detyra drejtoresha e shkollës Teuta Dobi dhe drejtori i drejtorisë arsimore të Tiranës.

Nga Instituti i Ndërtimit në mënyrë të vazhdueshme si për mediet, ashtu edhe për prindërit e nxënësve do të deklaronin se institucioni ka qenë shumë strikt për sa i përket objekteve shkollore dhe se është garant për godinat ku ka firmosur.

Megjithatë, burime për gazetën "Si" nga Ministria e Arsimit do të bënin të ditur se ka patur shumë debate se cilat shkolla nuk duhet të hapeshin. Debati ka qenë i vlefshëm edhe për shkollat private.

"E kisha vajzën tek Viktor Hygo. Nuk isha i bindur nëse duhej të hapej, pasi dëgjova zëra brenda ministrisë se disa syresh ishin kundër që ta hapnin, Kështu që vendosa ta hiqja që aty"- thotë një prind për gazetën "Si".

Cilat nga shkollat e dëmtuara nga tërmeti janë rikonstruktuar?

“Open data Albania” ka futur në skaner të gjithë tenderat, që Bashkia e Tiranës, ka kryer në infrastrukturën arsimore të kryeqytetit, duke nisur që nga korriku i 2015-ës e deri në fillim të dhjetorit 2019.

Referuar listës së publikuar nga “Open Data”, Bashkia e Tiranës ka kryer 41 ndërhyrje për rikonstruksion dhe ndërtim të shkollave të reja. Shuma e shpenzuar për këtë qëllim ka qenë afërsisht 2 miliardë lekë ose 18 milionë euro.

Në momentin që investimet janë kryer, infrastruktura arsimore në Tiranë ka pasur përmirësime, por një pjesë e konsiderueshme e këtyre ndërtimeve janë vënë në pikëpyetje të madhe pas tërmetit duke lëkundur ndjeshëm besimin tek shteti dhe profesionistët.

*Shkollat e rikonstruktura në territorin e Bashkisë Tiranë nga korrik 2015 (fillimi mandatit të Bashkisë me ndarjen e re administrative dhe territoriale) deri në fillim të dhjetorit 2019.

  1. Ndërtimi i Shkollës Servete Maçi me Vlerë Kontrate pa TVSH 228 mln Lekë dhe shtesë kontrate vlerë pa TVSH prej 44 mln lekë
  2. Ndërtim i shkollës 9-vjeçare ”Kosova”, Tiranë - Burimi i Financimit : Fondi i Zhvillimit të Rajoneve. Oferta Fituese pa TVSH vlerë 217 mln Lekë
  3. Rikonstruksion i pjesshëm i shkollës së mesme të përgjithshme Andon Z. Çajupi me vlerë kontrate pa TVSH 119, 8 mln lekë
  4. Rikonstruksion dhe Instalim i Sistemit të ngrohjes në Shkollën e mesme ”Ismail Qemali’’ me vlerë kontrate pa TVSH prej 101 mln Lekë
  5. Rikonstruksion i plotë i Shkollës speciale Luigj Gurakuqi me vlerë oferte pa TVSH 79 mln Lekë
  6. Furnizim me Orendi i Shkollave - Financuar nga Te ardhurat e Bashkisë Tirane me vlerë pa TVSH 82 mln lekë
  7. Rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare ”Dora D’Istria” me vlerë pa TVSH 68 mln Lekë
  8. Ndërtim shtese në Shkollën 9-vjeçare: ”Isa Boletini”, Njësia 11 me vlerë kontrate pa TVSh 68 mln lekë
  9. Rikonstruksioni i shkollës 9 vjeçare 1 Qershori me vlerë kontrate pa TVSH prej 61 mln Lekë
  10. Rehabilitimi i pjesshëm dhe instalimi i sistemit të ngrohjes në shkollën 9-vjeçare ”Dhora Leka” dhe ndërtimi i palestrës me vlerë kontrate pa TVSH prej 54 mln lekë.
  11. Rehabilitimi dhe Instalimi i Sistemit të Ngrohjes i shkollës 9-vjeçare: "Mihal Grameno" me vlerë kontrate prej 49 mln lekë
  12. Rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare Konferenca e Pezës me vlerë kontrate prej 54 mln lekë
  13. Rikonstruksioni i shkollës Koreografike me vlerë kontrate prej 46 mln Lekë
  14. Rehabilitimi dhe Instalimi i Sistemit të Ngrohjes në shkollën 9 – vjeçare ”Vasil Shanto" vlerë pa TVSH prej 52 mln lekë
  15. Rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare “Siri Kodra” me vlerë kontrate prej 35 mln Lekë
  16. Rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare ”Dëshmorët e Lirisë” me vlere kontrate prej 29 mln lekë
  17. Shtesë kontrate : ”Ndërtimi i Shkollës së mesme ”Hoxha Tahsim” (Faza e I) me vlerë kontrate prej 30 mln lekë
  18. Shtesë kontrate: Rikonstruksion i plotë i shkollës speciale Luigj Gurakuqi me vlerë kontrate 16 mln lekë
  19. Loti 3: Studim projektim, për objektin Ndërtim i ri i Shkollës 9-Vjeçare Servete Maci - Fondi i Bashkisë Tiranë me vlerë 5 mln lekë
  20. Shtesë kontrate: Rehabilitim i pjesshëm dhe instalimi i sistemit të ngrohjes në shkollën 9-vjeçare 4 Dëshmorët - Buxheti i Bashkisë Tiranë me vlerë kontrate prej 2,6 mln lekë
  21. Loti i parë - Mbikëqyrja e punimeve për objektin: Ndërtim i ri i shkollës 9-vjeçare "S. Maçi" me vlerë kontrate prej 1,7 mln lekë
  22. Loti i parë: Mbikëqyrja e punimeve për objektin: ”Ndërtim i shkollës 9-vjeçare ”Kosova” ,Tiranë me vlerë kontrate prej 1,7 mln lekë, etj. https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=2587969381251041&id=178239318890738&__tn__=K-R

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë