Kosova

Lirohen pas 16 orësh kosovarët që u ndaluan në kufi, BE: Serbia shkeli marrëveshjen e lëvizjes së lirë

Nga Gazeta 'Si' - Pas më shumë se 16 orësh autoritetet serbe dhanë urdhër për të liruar kosovarët e ndaluar në kufirin Kroaci - Serbi.

12 autobusët e ndaluar u nisën për Kosovë dhe ndalimi i tyre u bë në shenjë proteste ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar. Në mesin e të ndaluarve kishte fëmijë dhe pleq, të cilët së fundmi kishin mbetur edhe pa ushqime.

Bashkimi Europian tha se Serbia shkeli marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.

“Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshje”, ka deklaruar zëdhënësi i BE, Peter Stano.

Ai shtoi se BE-ja “fton Serbinë që të përmbahet nga veprimet e tilla unilaterale dhe të pakoordinuara dhe menjëherë t’i kthehet respektimit të marrëveshjes“.

Stano ka përsëritur thirrjen për të dyja palët që të respektojnë obligimet nga dialogu.

“Presim nga palët që në tërësi të zbatojnë detyrimet e tyre nga dialogu, të cilat janë obliguese dhe të vlefshme. Ne, po ashtu, presim nga palët që të sigurojnë një ambient të përshtatshëm për dialog në mënyrë që të shmanget çfarëdo veprimi i cili mund të rrezikoj sigurinë dhe stabilitetin“, thuhet në reagimin e BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë