Politike

Lincolni i blinduar me të cilin u largua Rama, PD: Pronë e Olsi Ramës

Partia Demokratike thotë se në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste ditën e hënë, Kryeministri Edi Rama u largua me makinën e blinduar të të vëllait, Olsi Rama.

Denoncimi është bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazment Bardhi.

“Edi Rama lëvizi dje me një fuoristradë të blinduar private, në shkelje të shumë rregullave shtetërore. Makina private, “Lincoln” e blinduar, me targën TR 0370 T, me të cilin u largua Rama nga Partia Socialiste është automjeti privat i Olsi Ramës. Si i tillë, automjeti është i paprekshëm nga Policia, njësoj si Audi AA 003 GB i Saimir Tahirit, me të cilin lëviznin lirshëm trafikantët e drogës të bandës së Habilajve”, deklaron Bardhi.

Më tej, Bardhi kërkon nga OFL që të ndalojë makinën e blinduar të Olsi Ramës.

“Duke qenë se OFL e Edi Ramës po mburret me ndalimin e mjeteve të blinduara, pse nuk e ndalon për verifikim edhe Lincolnin e blinduar të Olsi Ramës, që përdoret në shkelje të ligjit nga i vëllai Kryeministër?”, thotë më tej Sekretari i Përgjithshëm i PD-së.

Në fund, Bardhi ngre një pyetje për Kryeministrin dhe të vëllain e tij.

“Edi dhe Olsi Rama duhet të japin vetë përgjigje për një pyetje të thjeshtë: Në çfarë aferash është përfshirë dhe çfarë e rrezikon Olsi Ramën, që është detyruar të përdorë një makinë të blinduar, e ndërtuar për të përballuar plumbat?!”, mbyll reagimin e tij Gazment Bardhi.

Një ditë më parë, pranë selisë së Partisë Socialiste u ndalua Vladimir Gjuta nga Garda e Republikës. Atij iu sekuestrua një pistoletë dhe një sasi prej 120 mijë eurosh. Arrestimi i tij bëri që Garda dhe policia të ndryshojnë makinën e Kryeministrit, duke larguar mjetin Mercedes Benz me të cilin ai lëviz zakonisht dhe duke e shoqëruar atë me makinën Lincoln.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë