Ngjarje

Gjuta kapet me armë dhe 120 mijë Euro pranë selisë së PS, Rama ikën me makinë të blinduar

Policia e Tiranës ka shoqëruar sërish Vladimir Gjutën, i cili u lirua pesë ditë më parë.

Mësohet se shoqërimi i tij është bërë pranë selisë së Partisë Socialiste, në Tiranë, ku po zhvillohej mbledhja e kryesisë së kësaj partie. Kjo pasi Gjuta kishte me vete një armë, ndërsa në selinë rozë, kryeministri Edi Rama ishte duke zhvilluar mbledhjen e Kryesisë së PS.

Menjëherë ka ndërhyrë Garda për ta neutralizuar Gjutën, deri në momentin kur kanë mbërritur policët dhe e kanë shoqëruar në komisariat.

Ndërkohë, mësohet se Gjuta pas ndalimit ka thënë se ndodhej aty për një transaksion financiar.

Bashkë me pistoletën Gjutës i janë kapur edhe 120.000 euro.

“E mbaja pistoletën pasi do të ktheja në lekë shumën e eurove”, mësohet të jetë shprehur ai.  Pas kësaj ngjarje dhe në përfundim të mbledhjes së kryesisë. Kryeministri Rama ndërroi makinë. Ai shkoi në PS me benz, por pas ndalimit të Gjutës, Garda i vuri në dispozicion makinën e blinduar "Lincoln", me të cilën iku nga selia rozë.

Pas mbledhjes, Rama largohet me makinën e blinduar "Lincoln"

Vladimir Gjuta u lirua nga paraburgimi pesë ditë më parë, më 5 shkurt. 

Nga tritoli tek farmacia e babait të Saimir Tahirit, tek rrahja e kushëririt

Emri i Vladimir Gjutës nuk është krejtësisht i panjohur për publikun. Në qershor të 2015 ai u arrestua në tunelin e Kalimashit pasi akuzohej se ishte autori i shpërthimit me tritol në farmacinë e Bashkim Tahirit, babai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri.

Shpërthimi kishte ndodhur më 10 shkurt të 2015, ndërsa veç tij, Gjuta akuzohej edhe për mesazh kanosëse që kishte dërguar në telefonin e ish-ministrit të Brendshëm. Ai u arrestua nga forcat RENEA në hyrje të tunelit të Kalimashit.

Në momentin e arrestimit, Gjuta ishte duke udhëtuar drejt qytetit të Kukësit me një automjet tip “Opel” me targa Kosove dhe ndodhej nën shoqërinë e një shtetasi nga Kosova. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Policia tha në atë kohë se Gjuta ishte nën vëzhgim prej disa javësh dhe se ishin zbuluar lëvizjet e tij. Uniformat blu ishin vënë në dijeni se Vladimir Gjuta do të udhëtonte nga Tirana drejt Kukësit me një makinë tip “Opel”, ngjyrë gri me targa të Kosovës si pasagjer, pasi automjeti drejtohej nga një 32-vjeçar nga Prizreni.

Pas marrjes së këtij informacioni, forcat speciale bllokuan hyrje-daljet e tunelit të Kalimashit për afro një orë e gjysmë. RENEA fiku dritat e tunelit dhe sistemin e ajrimit dhe bllokoi menjëherë hyrje-daljet. Në momentin që Gjuta ka hyrë në tunel, ai ka rënë në prangat e policisë.

Gjatë arrestimit, Gjuta është përpjekur të maskohet duke vënë në kokë një paruke të zezë. Policia tha se kishte sekuestruar 6 celularë dhe një sasi parash. Policia ishte e bindur se Vladimir Gjuta ishte autori i shpërthimit me tritol në biznesin e të atit të Saimir Tahirit. Mekanizmi shpërthyes u aktivizua përmes një telefonate.

Policia tha se telefonata është kryer pikërisht nga Vladimir Gjuta, që menjëherë pas shpërthimit ka hequr nga telefoni kartën “SIM” dhe ka shkatërruar atë. Por, policia deklaroi se ai kishte bërë një gabim, pasi pak pas shpërthimit ka vendosur një tjetër kartë “SIM” në të njëjtin telefon nga ku kreu telefonatën që aktivizoi lëndën plasëse.

Duke lidhur dy numrat në fjalë me numrin unika të identifikimit të telefonave (IMEI), Prokuroria tha para gjykatës së është e provuar që personi që ka kryer shpërthimin është Vladimir Gjuta.

Pas thuajse një vit në paraburgim, Vladimir Gjuta fitoi lirinë, pasi në prill të 2016, gjykata arriti në përfundimin se nuk mund të provohej me fakte përtej dyshimit të arsyeshëm që ishte pikërisht ai autori i shpërthimit në farmacinë e Bashkim Tahirit. Akuzat e rënda të ngritura kundër tij, si “kryerja e akteve terroriste”, apo “pjesëmarrje në grupe të strukturuara kriminale” u rrëzuan dhe Gjuta u dënua vetëm për kanosje ndaj gjyqtarit me 7 muaj burg, kohë që e kishte shlyer në paraburgim.

Pak javë pasi u lirua, ai arrestohet sërish, këtë herë policia tha se Gjuta ishte denoncuar nga familjarët e tij. Sipas policisë, babai e akuzoi për dhunë dhe hodhi dyshime se gjatë kohës që ka qenë në paraburgim si i dyshuar për tritolin në farmacinë e Bashkim Tahirit, ai ka shfaqur çrregullime mendore. Megjithatë, vetë babai i Vladimir Gjutës doli publikisht dhe mohoi se ndaj tij është ushtruar dhunë.

Pas një periudhe qetësie, emri i Vladimir Gjutës doli sërish në media, këtë herë i akuzuar për goditjen me çekiç të kushëririt të tij, në një ngjarje të ndodhur në ditët e para të 2020. Mjekësia ligjore përcaktoi se plagosja ishte e lehtë, ndërsa vetë i dëmtuari u tërhoq nga denoncimi dhe më 5 shkurt, Vladimir Gjuta u la i lirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë