Lajme

Policia nis hetim pasuror ndaj Vladimir Gjutës

24 orë pas ndalimit të Vladimir Gjutës pranë selisë së Partisë Socialiste, ku po zhvillohej mbledhja e kryesisë së kësaj partie, policia jep informacion zyrtar për arrestimin e tij. 

Policia thotë se në bashkëpunim me prokurorinë, kanë nisur hetimin pasuror ndaj Gjutës.

40-vjeçari Vladimir Gjuta, është kapur me armë zjarri me vete dhe një shumë të madhe parash.

Siç njofton policia, në momentin e kapjes nga Patrullat e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3, Gjutës iu gjetën me vete një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, një dorezë grushti metalike, si dhe një sasi e madhe parash në valutë dhe lekë shqiptare.

Ndërkohë, policia ka ushtruar kontroll në banesën e tij, dhe janë gjetur dhe sekuestruar edhe shuma të tjera parash.

Në total iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

121.100 euro, 27.500 dollarë amerikanë, 22.970 paund anglez dhe 664.500 lekë të reja.

Po gjatë kontrollit të banesës së Vladimir Gjutës, policia i gjeti dhe sekuestroi edhe një mjet të blinduar autoveturë Audi A8.

Në përfundim të veprimeve, materialet iu referuan prokurorisë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë