Politike

Limaj e Pacolli, “LSI” e Kosovës: Qeveria pas zgjedhjeve në dorën tonë

Një ditë pas shpërndarjes së Parlamentit të Kosovës dhe në pritje që Presidenti Hashim Thaçi të caktojë datën e zgjedhjeve të parakohëshme, zyrtarizohet një tjetër koalicion parazgjedhor.

Nisma SocialDemokrate e Fatmir Limajt dhe dhe Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit firmosën marrëveshjen në Prishtinë.

 “Besoj se edhe në të ardhmen do të bashkëpunojmë. AKR dhe Nisma mbrëmë kanë vendosur që të lidhin koalicion. Unë kisha me e quajtur boshti i artë, ose qendra e tretë e cila do të jetë kyçe dhe e rëndësishme në formimin e qeverisë së ardhshme”, ka thënë Pacolli.

AKR dhe Nisma do të garojnë me një listë të përbashkët dhe do të kenë kandidatin e përbashkët për kryeministër. Kandidati për kryeministër i tyre është Fatmir Limaj. “Pritet të na bashkohen edhe parti të tjera. Besoj se koalicioni parazgjedhor e jep një mundësi të re. E unë po njoftoj se do të jem kandidat i këtij koalicioni për kryeministër”, ka thënë Limaj.

Ky është koalicioni i dytë parazgjedhor. Bashkëpunimi i parë është ai mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt dhe Partisë Socialdemokrate të Shpend Ahmetit.

Partia Demokratike e Kadri Veselit deri më tani është e vetme. Po ashtu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, por Isa Mustafa duket se është në bisedime me Albin Kurtin e Vetvendosjes. Kjo panoramë parazgjedhore në Kosovë e ndan sërish krahun e luftës që qeverisi për gati 2 vjet  (PDK, AAK dhe Nisma).


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë