Futboll

Ligji për privatizimin e klubeve, ja kush do të ketë avantazhe

Kur flitet për privatizimin e klubeve sportive në Shqipëri, gjithmonë ka shumë paqartësi. Në këto 28 vite klubet sportive shqiptare në disiplina të ndryshme kanë notuar mes ligjshmërisë dhe paligjshmërisë. Ndër vite janë marrë shumë iniciativa për ta rregulluar këtë fushë, por vështirësitë kanë qenë të mëdha, sidomos tek futbolli ku edhe kostot për një proces privatizimi bëhen akoma dhe më të mëdha.

Vetëm pak ditë më parë Ministria e Arsimit ka propozuar një projektligj të ri për formën e privatizimit të klubeve sportive në vendin tonë. Qëllimi projektligjit të hartuar do të jetë të përcaktojë formën dhe formulën e privatizimit të klubeve sportive, në pronësi të organeve të qeverisjes qendrore dhe njësive të vetëqeverisjes vendore.

Në pikën 1 të nenit 2 të këtij projektligji iu jepet kohë 12 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit, të gjitha klubeve sportive në vend që të përmbyllin këtë proces. Sipas këtij projektligji, zotëruesja e klubit sportiv vendos në shitje pronat, asetet, titujt, markat tregtare dhe emrin, për të cilat vlerësimi do të bëhet sipas ligjeve në fuqi. Privatizimi i klubeve do të bëhet nga ministria e Ekonomisë për klubet që zotërohen nga organet shtetërore qendrore dhe nga bashkitë, kur klubet zotërohen nga këto të fundit.

Një pikë shumë e rëndësishme e këtij projektligji është ajo 2 e nenit 3, që specifikon se për subjektin që ka financuar ndër vite klubin sportiv dhe rezulton fitues në procedurën e privatizimit, përfiton zbritje nga çmimi final i privatizimit. Në këtë pikë, ajo që duket se përfiton më shumë është skuadra e Flamurtarit. Administratori privat i klubit vlonjat, Sinan Idrizi prej disa vitesh ka dhënë kontribute të rëndësishme për Flamurtarin dhe nëse do rezultojë fitues në procesin e privatizimin, do të përfitojë edhe zbritje në çmim. Por në këtë proces privatizimi nuk përfshihen terrenet sportive. Pra, subjekti që privatizon një klub, nuk mund të marrë edhe stadiumin apo terrenet e tjera sportive. Pronari i klubit do të ketë mundësinë ta marrë në administrim stadiumin, mund ta restaurojë, apo edhe ta rindërtojë, gjithmonë pa ia ndryshuar destinacionin dhe pa e pasur në pronësi.

Sakaq për këtë iniciative ka reaguar administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi. Në një prononcim për Gazeta Si, numri një u klubit vlonjat, deklaroi: “Rëndësi ka që një hap konkret në këtë aspekt edhe pse shumë i vonuar. E rëndësishme është që po merr fund tranzicioni në drejtim të privatizimit të klubeve.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë