Mendim

Ligji për Deklarimin e Pronarit Përfitues, një ligj për të cilin parashikohen zvarritje

Nga Aranita Brahaj* - Kur do të do të japë Efekte Ligji për Pronarin Përfitues në RSH? A do të publikohen pronarët në parajsa fiskale, vende me regjistër “shell”, apo “offshore”? A do të kemi skandale “shqiptare” të ngjashme me ato të Panama Paper pas datës 31 Janar 2021, datë kur ligji duhet të japë efekte? Njerëz në Pushtet apo individë të botës kriminale, pronarë të kompanive që kanë fituar tendera, PPP, licenca apo janë pjesë të tregjeve sektoriale??? Çfarë ndryshimesh në Legjislacion (ligje të tjera) duhen bërë që ky ligj te hyjë në fuqi duke dhënë efektin e kontrollit të integritetit të biznesit?

Ligji Për Pronarin Përfitues, (zotëruesin final do të ishte përkthimi më i saktë në gjuhën shqipe), është një ligj i një rëndësisë të theksuar, i miratuar nga Parlamenti në 2020. Rëndësia qëndron në mbrojtjen e ekonomisë shqiptare nga fenomeni i Pastrimit të Parasë Kriminale, Korruptive e më tej.

Ky ligj detyron bizneset të deklarojnë pronarin final dhe të mos punojnë në Shqipëri duke fshehur identitetin në parajsa fiskale, vende ku biznesi regjistrohet “shell”, apo “offshore”.

Në Islandë kryeministri i vendit u detyrua të largohej nga pozicioni pasi publikimi i pronarëve të disa kompanive të Regjistruara në Panama, nxori emrin e bashkëshortes si zotëruese e një kompanie ku transferoheshin fitime. Kompania në fjalë me paketën finale kontrolluese në Panama (Skandali Panama Paper) kishte lidhje me disa afera ku implikoheshin edhe institucione dhe interesa publike në vendin ku kryeministër ishte bashkëshorti. Skandalet me publikimi Panama Paper dëshmuan se sa rëndësi ka Transparenca në Regjistrat e Biznesit kur vjen fjala për Korrupsion dhe Influencë.

Kthehemi tek Ligji ynë. Qeveria Shqiptare e hartoi dhe miratoi këtë ligj nën presionin ndërkombëtar si opsion për ta përmirësuar situatën e Shqipërisë në Listën e vendeve me Probleme dhe Rrisk sa i Takon Pastrimit të Parave Kriminale dhe të Korrupsionit.

Aktet Nënligjore për këtë Ligj ende janë të paplota dhe i vetmi akt i dalë është i vonuar. Vlerësimi teknik i kapaciteteve për deklarim, administrim dhe publikim të informacionit është i munguar dhe krijon premise që hyrja në fuqi e detyrimit ligjorë të shtyhet edhe disa vite.

Por ndër të tjera, miratimi i vetëm i këtij ligji, pa patur një reformë legjislative të plotë për zbardhjen e pronarit përfitues, lidhet me nevojën për ndryshime dhe plotësime në disa ligje si vijon:

  1. Ligji për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, të Detyrimeve Financiare të të zgjedhurve dhe të disa Nëpunësve Publik (menjëherë subjektet deklaruese duhet të deklarojnë zotërime, apo ish zotërime finale të realizuara në kohën e ushtrimit të detyrave).
  2. Ligji për Prokurimin Publik dhe aktet nënligjore që bëjnë të mundur kontrollin e konkurrencës, dokumentacionit dhe konfliktit të interes. (asnjë konkurrent nuk duhet të klasifikohet në tenderë nëse nuk ka deklaruara pranë autoritetit të plotë paketën e tij kontrolluese).
  3. Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Asnjë individ nuk do të duhet të pretendojë mbrojtjen e të dhënave si identiteti (emër mbiemër) në rast se është zotërues kapitali dhe aksionesh për çdo pjesë të paketës aksionare).
  4. Ligji për Koncesionet. Të parat që duhet ti nënshtrohen këtij detyrimi ligjorë janë PPP dhe Koncesionet. Për secilin prej tyre Paketa e Plotë Kontrolluese duhet të deklarohet që nga data e parë që shfaqet në interesin për PPP. Kusht që Kontrata Koncesionare të Funksionojë duhet kontrolli integritetit të kontratës nga momenti i fillimit.

Në fund, hyrja në fuqi e këtij ligji është zhvillim pozitiv. Zbatimi apo moszbatimi, zvarritja e ligjit kompromenton mazhorancën politike aktuale, apo kushdo qoftë pas datës 25 prill.

Në rastin e kontraktorëve privatë (fitues tenderësh) dhe partnerëve në koncesione dhe PPP Ligji duhet të parashikojë klauzola të rishikimit të kontratës nëse kemi pronar final pjesë e krimit (ligji antimafia) dhe pjesë e influencës (njerëz pas pushtetit), që ky ligj të mos jetë thjeshtë një “hedhje hi syve” për ndërkombëtarët që vënë kushte.

Kontrolli i Pronarit Përfitues (zotëruesit final) është në proces që kërkon iniciativa ligjore më të gjëra dhe më shteruese. Padyshim, kërkesa e parë për zbatim është një klasë politike me integritet.

Një model i regjistrit të biznesit me informacion të plotë për zotërues dhe ish-zotërues, me të dhëna të mirëstrukturara dhe në respekt të parimit të Disclose (hapje) dhe Interconection (lidhje) është pilotuar përmes databazës Open Corporates Albania, model i OpenCorporates.com.

*Shënim: Autorja është Drejtore Ekzekutive e Albanian Institute of Science, AIS


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë