Politike

Si të lexojmë Venecian? PS rrëzon Metën për Kodin Zgjedhor

Mazhoranca në Komisionin e Ligjeve reflektoi paralajmërimet e Kryeministrit Edi Rama që deklaroi se do ta rrëzojë dekretin e Presidentit Ilir Meta, që ktheu për rishqyrtim në Kuvend të Kodin Zgjedhor. Dekreti u rrëzua me 15 vota kundër dhe vetëm dy pro, ndërsa do të dorëzohet në seancën plenare të ditës së enjte.

Debati mes mazhorancës dhe Presidencës për çështjen e Kodit Zgjedhor u përqëndrua në interpretimin e Kodit të Praktikave të Mira për Çëshjtet Zgjedhore të Komisionit të Venecias. Juristët e Presidencës u përplasën me kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja se çfarë nënkupton me “elementë thelbësorë” Venecia.

“Kemi një lexim të ndryshëm të Kodit të Praktikave të Mira për Çështjet Zgjedhore të Venecias. Venecia nuk thotë që një vit para zgjedhjeve nuk mund të bëhen ndryshime në ligjin elektoral, por në një ligj të thjeshtë, por fatmirësisht Shqipëria ka një ligj organik. Venecia thotë që ndryshimet në ligjin zgjedhor nuk bëhen 1 vit para zgjedhjeve dhe nuk mund të cenojnë elementët thelbësorë të ligjit zgjedhor”, deklaroi kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

Manja ngre pyetjen cilat janë “elementët thelbësorë” të një sistemi zgjedhor, sipas vlerësimit të Presidentit të Republikës.

“Kë konsideroni ju elemente thelbësor të një procesi zgjedhor që Venecia thotë se nuk mund të cenohen 1 vit para zgjedhjeve me një ligj të thjeshtë, pavarësisht se në Shqipëri është me ligj organik të ndryshuar me 97 vota, përtej shumicës kushtetuese?”, pyeti Manja.

Nga Presidenca u përgjigjën duke përmendur rregullat e shndërrimit të votave në mandate, që në vlerësimin e tyre ka ndryshuar thelbësisht, si edhe ndryshimi i pragut kombëtar. Madje për këtë të fundit, këshilltari për çështjet ligjore i Presidentit Ilir Meta, Bledar Dervishaj dha se parashikimi kushtetues është alogjik.

“Rregull themelor zgjedhor është edhe mënyra sesi do të konkurrojmë në zgjedhje. Më 23 korrik u ra dakord që koalicionet parazgjedhore lejohen mbi bazën e listave shumëemërorë. Ky rregull ndryshoi më 30 korrik dhe u zbërthye më 5 tetor. U vendos një prag kombëtar, ndërkohë që brenda të njëjtës dispozitë kushtetuese, nga njëra anë është sistemi proporcional rajonal, nga ana tjetër flet për prag kombëtar”, tha Dervishaj.

Por, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja këmbënguli se ndryshimet e miratuara në seancën plenare të 5 tetorit nuk cenojnë asnjë element thelbësor të parashikuar në Kodin e Praktikave të Mira të Venecias.

“Elementët thelbësorë të një sistemi zgjedhor sipas Kodit të Praktikave të Mira të Venecias kanë të bëjnë me sistemin zgjedhor në radhë të parë dhe Shqipëria nuk e ka prekur sistemin zgjedhor. E dyta janë zonat zgjedhore, që me ndryshimet e Kodit Zgjedhor nuk janë prekur. Element thelbësor sipas Venecias është numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore, edhe kjo që nuk është prekur. Janë komisionet e administrimit të procesit zgjedhor që nuk janë prekur. Po ashtu, edhe shpërndarja e mandateve mes partive nuk është cenuar dhe elementi i rëndësishëm që nuk është prekur, madje ka përmirësuar standardin është procesi i ankimimit”, tha Manja.

Adnor Shameti “rrëzon” arsyetimet e Presidentit

Mbrojtja e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në Komisionin e Ligjeve iu besua deputetit, Adnor Shameti si relator. Fillimisht, ai hodhi poshtë çështjen e koalicioneve parazgjedhore. Shameti tha se formula e re e koalicioneve parazgjedhore eleminon fenomenin e devijimit të votës, që ndodhte me kodin e vjetër.

“Kushtetuta nuk ndalon paraqitjen e kandidatëve për deputetë nga partitë politike në një listë. Në praktikën e proceseve zgjedhore koalicionet janë përdorur nga partitë e vogla për të anashkaluar pragun e zgjedhjeve, kthehen në parti parlamentare, formula aktuale reduktojnë konkurrueshmërinë, deformojnë vullnetin e një votuesi dhe shkaktojnë pabarazi vote dhe deformim të vullnetit të zgjedhësve”, tha Shameti.

Deputeti socialist tha se Venecia e ka rekomanduar prej kohësh se sistemi i listave të hapura nuk shkojnë me koalicionet parazgjedhore me lista të përbëra, ndërsa vlerësoi argumentet e Presidentit më shumë emocionale dhe politike sesa juridike.

Por, Shameti anashkaloi parashikimin në ndryshimet e Kodit Zgjedhor të pjesës ku kryetarët e partive mund të kandidojnë në më shumë se një zonë zgjedhore. Ai iu referua Kushtetutës duke thënë se ajo nuk e ndalon këtë.

“Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zonë zgjedhore. Kushtetuta përcakton që një kandidat të paraqitet vetëm për një zonë zgjedhore, por nuk pengon që kandidatët të kandidojnë në më shumë se një zonë zgjedhore”, u shpreh Shameti.

Ndërkohë, deputetët e opozitës parlamentare u shfaqën të përçarë gjatë diskutimeve. Korab Lita, Ralf Gjoni dhe Adriatik Alimadhi kërkuan pranimin e dekretit të Presidentit Meta, ndërsa Edmond Stojku kërkoi rrëzimin e tij dhe tha se në seancë plenare, ai dhe grupi parlamentar opozitar që përfaqëson do të votojnë kundër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë