Futboll

Liga e Kombeve, Gjermania barazon me kampionët e botës

Ringritja e Gjermanisë pas dështimit në Botërorin e Rusisë ka nisur me një barazim 0-0 në Ligën e Kombeve, kompeticionit më të ri që ka ngritur tashmë siparin. Një barazim me vlera morale, duke qenë se është arritur ndaj kampionëve në fuqi të botës, Francës së Pol Pogba dhe Kilian Mbape, edhe pse gjermanët luanin në shtëpi. Ishte ndeshja e parë pas polemikave të mëdha të çështjes “Ozil” dhe në një farë mënyre skuadra e trajnerit Hoakim Lëv e kaloi provën. Barazimi ka vlera më të mëdha psikologjike dhe mund të shënojë hapjen e një cikli të ri nga Gjermania, që bën pjesë në Grupin A në Ligën e Kombeve.

Trajneri Lëv nuk është se kishte bërë shumë ndryshime në krahasim me formacionin që luajti në Botëror. Ai aktivizoi titullar Leon Goreckën në mesfushë, ndërkohë që ka grumbulluar lojtarin e Mançester Sitit, Leroi Sane, që u aktivizua si zëvendësues. Franca nga ana tjetër, luajti me formacionin më të mirë, atë që u shpall kampion bote. Ndeshja pati emocione dhe rastet për shënim ishin më të shumta për Gjermaninë, por goli mbeti vetëm një dëshirë në këtë 90-minutësh.

Nga ndeshja Gjermani-Francë, 0-0

Në Grupin B, Uellsi i Gereth Bejl ka fituar bindshëm, 4-1, ndaj Irlandës. Ndeshja tjetër e këtij grupi, ajo mes Çekisë dhe Ukrainës, u mbyll me fitoren e miqve, 1-2. Në Gruin D, Gjeorgjia ka fituar në fushën e Kazakistanit, 0-2, ashtu si Maqedonia në fushën e Gjibraltarit. Interesant është fakti se ndeshja Armeni-Lihtejnshtejn, që përfundoi 2-1, është gjykuar nga arbitra shqiptarë, me kryesor Enea Jorgjin dhe asistentë Ermal Barushin dhe Ridiger Çokajn. Në Grupin C, Sllovenia u mund në shtëpi nga Bullgaria, 1-2, kurse Norvegjia mundi Qipron 2-0.

Pritet me interes në Ligën e Kombeve edhe ndeshja e parë e Italisë, që ndeshet me Poloninë e Levandovskit. Italianët munguan në Botërorin e Rusisë dhe tani, me trajnerin Roberto Mançini në krye, synojnë të kthehen në majat e futbollit botëror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë