Futboll

Liga e Kampionëve, e marta e përballjeve “big”

Këtë të martë rikthehet Liga e Kampionëve me raundin e katërt të përballjeve në fazën e grupeve. Në këtë raund të katërt janë ndeshjet e kthimit të dy javëve të para dhe të gjitha janë shumë interesante, pasi shikohen edhe si mundësi hakmarrje për ekipet që nuk ia dolën në raundin e tretë.

Në orarin e pasdites do të jenë vetëm dy ndeshje, ndërsa në mbrëmje është pjesa më e madhe e ndeshjeve, por gjithashtu edhe më të bukurat.

Në 18:55 në stadiumin “Marakana” të Beogradit do të zbresëLiverpuli i Klop për të sfiduar Crvena Zvezda. Alternativa për “The Reds” ështëvetëm fitorja edhe pse skuadra serbe nuk është një kundërshtar për t’u nënvlerësuar.Po në këtë orar do të luhet edhe sfida tjetër mes Monako dhe Klub Bruzh.

Në mbrëmje e kësaj të marte do të zbresin disa nga yjet më të mëdhenj të futbollit botëror, kësisoj spektakli është i garantuar. Kryendeshja në këtë orar do të luhet në “La Scalën” e futbollit, “San Siro”, aty ku në orën 21:00 do të zbresin Inter dhe Barcelona. Ndeshja e parë u mbyll në shifrat 2-0, një fitore që u duk shumë e thjeshtë për katalanasit. Por në Milano është e sigurt që historia do të jetë ndryshe. Inter që pas asaj humbje në “Camp Nou” ka marrë dy fitore shumë bindëse në kampionat, duke shënuar 8 gola dhe mos pësuar asnjë. Edhe Barcelona nga ana tjetër ka vijuar pas shqetësime rrugën e saj në kampionat. Messi me shumë mundësi nuk do të jetë përsëri në fushë edhe pse të gjithë tifozët, si ata të Barçës edhe ata të Inter dëshirojnë ta shohin në fushë “pleshtin”.

Shumë e fortë pritet të jetë edhe ndeshja që do të luhet në “San Paolo”. Dy javë më herët, Napoli vetëm në minutat e fundit e humbi mundësinë për të dalë me fitore nga sfida me PSG. Tashmë në këtë ndeshje kthimi “të kaltrit” duhet të kenë kujdes, pasi Nejmar me shok zor se bëjnë dy ndeshje rresht në nivel të ulët.

Atletiko Madrid do të kërkojë të hakmerret pas asaj disfate turpëruese  në “Westfalenstadion”. Skuadra e Simeone do të presë në “Vanda Metropolitano”, Borusia Dortmund dhe fitorja nuk duhet vetëm për hakmarrje, por edhe për pikët në klasifikimin e grupit. Porto kundër Lokomotivës së Moskës pritet gjithashtu një ndeshje shumë interesante, pas fitores që portugezët morën dy javë më parë në Rusi.

Për mos t’u humbur do të jenë edhe dy sfidat e tjera të mbrëmjes së kësaj të marte. Totenham do të kërkojë në këtë raund të katërt fitoren e parë në këtë sezon të Ligës së Kampionëve. Përballë PSV dy javë më herët në Eindhoven, londinezët rrezikuan të humbasin, ndërsa këtë herë në “Wembley” besohet se sfida do jetë e ndryshme. Ndërsa Shakle dhe Gallatasaraj do të luajnë këtë mbrëmje për të zënë një vend të tretë në grup që të çon në raundin eliminator të Europa League.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë