Ne rrjet

Libri që i ndryshoi mendimet Bill Gates

Prej vitesh i ka vendosur si mision vetes luftën kundër varfërisë dhe e bën këtë përmes fondacionit të krijuar me bashkëshorten, por thotë se përgjatë kësaj periudhe ka gabuar me termat e përdorur.

“Kam folur vazhdimisht për një botë në zhvillim dhe një botë të zhvilluar, por nuk duhej ta bëja këtë”, shkruan Bill Gates në një postim të bërë në blogun e tij personal këtë javë.

Zgjidhja e re e tij është zhdukja e fjalës “zhvillim” dhe “të zhvilluar” nga fjalori. Ideja i ka lindur pasi ka lexuar librin “Faktet” të shkruar nga miku i tij i mirë, staticieni Hans Rosling. Rosling ndërroi jetë nga kanceri vitin e kaluar dhe faqet e fundit të librit u përfunduan sipas udhëzimeve të tij nga djali i tij.

Gates e quan një prej librave më edukues që ka lexuar ndonjëherë dhe këmbëngul se bota do të ishte një vend më i mirë nëse edhe të tjerët e lexojnë atë gjithashtu.

“Faktet” është përpjekja e fundit e Rosling për të ndryshuar kendvështrimin që pjesa më e madhe e njerëzve sheh sot botën. Ai rreket që të na bëjë ta shohim botën përmes shifrave. Thotë se shifrat nuk gënjejnë dhe se gjërat nuk janë aq keq sa thuhet e duken.

Rosling beson se ne varemi shumë nga instiktet e mbushura me emocion kur përfytyrojmë botën sot, duke ndërtuar në fund një panoramë të mbushur me ngjyra gri, që është ndryshe nga realiteti.

Një prej sfidave që ai i vendos vetes në këtë libër është ai për të bërë të tjerët që të kuptojnë se nuk bëhet fjalë për dy botë: një në zhvillim dhe tjetra e zhvilluar. Në vend të kësaj këshillon ndarjen e shoqërisë njerëzore në katër nivele të ardhurash. Në nivelin e parë rendit ata që “përdorin gishtat” për të larë dhëmbët çdo natë, ndërsa në të katërtin ata që fusin në karikim furçën elektrike të pastrimit të tyre.

Nuk është vetëm Rosling që kërkon një qasje të re në këtë drejtim. Edhe Banka Botërore flet për katër nivele kur e ndan shoqërinë njerëzore përsa u takon të ardhurave.

“Dua të provoj këtë model për të ardhmen”, shkruan miliarderi në postimin e bërë të martën.

Ja cilët janë katër nivelet e përcaktuar nga Rosling.

Niveli 1: Njerëzit që jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë. Rosling thotë se janë rreth 1 miliardë të tillë. Lëvizin zbathur, gatuajnë me mjete primitive në zjarr të ndezur në natyrë, mbushin ujë nëpër përrenj e moçale dhe flenë në shesh. Pjesa më e madhe e tyre ndodhet në Nepal, Madagaskar, Lesoto dhe Indi. Lesoto, thotë Rosling është vendi me jetëgjatësinë më të ulët në botë.

Niveli 2: Ky është niveli ku e gjen veten pjesa më e madhe e popullsisë globale. Të ardhurat e tyre janë nga 2 deri në 8 dollarë në ditë. Mund të kenë të mira materiale si një biçikletë, apo një kuzhinë modeste me gaz në shtëpi.

Staticieni suedez, Hans Rosling

Pjesa më e madhe e tyre jeton në Kinë, Nigeri, Zambia e Indi. Rosling argumenton se po në këto vende jeton një pjesë e konsiderueshme e njerëzve me të ardhura relativisht të larta, sidomos në qytetet e mëdha. Për këtë arsye ai thotë se është çmenduri dhe e pakuptimte që të flasësh sot për vende në zhvillim dhe vende të zhvilluara.

Niveli 3: Është grupi i dytë më i populluar. Njerëzit e këtij grupi fitojnë nga 8 deri në 32 dollarë në ditë. Kanë ujë të rrjedhshëm në banesa, mund të zotërojnë një motoçikletë apo makinë modeste. Kuzhina e tyre është e pasur me ushqime të ndryshme çdo ditë. Elektriciteti dhe frigoriferi për këta kategori nuk është luks.

Sipas Rosling, të gjitha vendet e botës kanë qytetarë që përfshihen nga kjo kategori.

Niveli 4: Janë njerëzit që fitojnë më shumë se 32 dollarë në ditë. Rosling përfshin në këtë kategori më shumë se 1 miliard njerëz. Janë ata persona që kanë të paktën një makinë në shtëpi dhe frigoriferin e mbushur plot. Në këtë kategori përfshihen edhe njerëzit më të mirëarsimuar, pasi sipas statistikave të Rosling pjesa më e madhe e tyre kanë përfunduar të paktën 12 vite shkollim.

Pikërisht kjo kategori, sipas Rosling, është “bota e zhvilluar”. Edhe në katëgori gjen në çdo vend të botës, me ndryshimin se diku janë më të shumtë, e diku numërohen me gishtat e dorës.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë