Histori

Liban, një vit nga shpërthimi në Bejrut. Vendi që lufton kundër 5 krizave

Që nga fundi i vitit 2019, Libani është përballur me një nga krizat më serioze ekonomike të epokës moderne.

Nga viti 2020, vendi arab nuk po përballet me një krizë të vetme, por pesë të tilla: kolaps ekonomik (me rritjen e varfërisë, papunësi të lartë dhe norma inflacioni), kriza siriane (në Liban ka 1.5 milionë refugjatë sirianë, përqendrimi më i lartë i atyre në botë), paqëndrueshmëria politike, pandemia Covid-19 (Libani kishte 5,000 raste para shpërthimit, në shkurt 2021 kishte 328,000) dhe shpërthimi i portit të Bejrutit, i cili ka përkeqësuar seriozisht situatën.

Më 4 gusht të vitit 2020, qindra tonë nitrat amoni, jo të ruajtura si duhet, kanë shpërthyer duke shënuar një nga incidentet më të mëdha jo-bërthamore në histori.

Shpërthimi i orëve të pasdites që ka shkatërruar lagje të tëra, ka lënë të vdekur të paktën 214 persona, duke përfshirë 22 në Spitalin Shën Xhorxh.

"Nëse edhe në kushte normale shpërthimi i portit do të kishte shkaktuar dëme masive, nga të cilat do të kishte qenë komplekse për t’u rikuperuar, - shpjegon Riccardo Mioli, kreu i misionit Intersos në Liban, - kombinimi i këtyre krizave, e bën situatën shumë serioze për të gjithë popullsinë, akoma dhe më shumë, për njerëzit e cenueshëm, si vendas ashtu edhe refugjatë”.

Sipas Bankës Botërore, shpërthimi shkaktoi midis 3.8 dhe 4.5 miliardë dëme. 90% e importeve libaneze u kryen përmes portit të Bejrutit. Shkatërrimi i shumicës së rezervave të vendit, ka vënë në rrezik sigurinë ushqimore dhe sot 1 milion njerëz janë në gjendje të pasigurisë ushqimore: 22% e libanezëve, 50% e sirianëve, 33% e refugjatëve dhe emigrantëve nga vendet e tjera.

77% e familjeve libaneze dhe 99% e atyre siriane, thonë se nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. Në 30% të familjeve, një fëmijë humb një vakt ose shkon në shtrat i uritur.

Sipas Programit Botëror të Ushqimit, nëse më parë,  refugjatët ishin në kushte të varfërisë ekstreme dhe pasigurisë ushqimore, sot efekti i shpërthimit i kombinuar me pandeminë dhe recesionin ekonomik, ka varfëruar më shumë se gjysmën e popullsisë libaneze dhe pothuajse të gjithë refugjatët.

Përveç mungesës së ushqimit dhe parave për të paguar qiratë - sipas të dhënave të mbledhura këtë vit nga Intersos - shumë njerëz kanë vështirësi në qasjen në shërbimin shëndetësor, një fakt shqetësues duke marrë parasysh pandeminë në zhvillim.

Rreth 1 milion njerëz kanë nevojë për kujdes shëndetësor, vetëm 15% e popullsisë ka marrë dy doza të vaksinës kundër Covid-19.

Para shpërthimit kishte 5 mijë raste të konfirmuara të Covid-19, në një vit ato janë rritur në mbi 550 mijë. Sipas “Lebanon Economic Monitoring”, katër shërbime publike janë më të prekura nga kriza: energjia elektrike, furnizimi me ujë të pijshëm, kanalizimet dhe sistemi shkollor.

70% e burimeve natyrore të ujit janë të kontaminuara, deri në 90% në qendrat urbane, 64% e popullsisë nuk kanë qasje të sigurt në ujë të pijshëm; 1.3 milionë të mitur ndërprenë arsimin në vitin 2020; 40% e fëmijëve refugjatë sirianë nuk janë në arsim.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë