Futboll

Lëvizje trajnerësh edhe në Kosovë, Josa “shkarkon” Maganin

Fatjon Rupi - Kosova ka punësuar kohët e fundit shumë trajnerë shqiptarë dhe u duk se do të ishte një “parajsë” për ta, por nuk është e thënë që ata të ketë “paqe”. Gugash Magani, trajneri i Trepçe ’89, ka dhënë dorëheqjen pas humbjes 2-0 me Prishtinën e drejtuar nga trajneri tjetër shqiptar, Mirel Josa. Rezultatet e javëve të fundit kanë qenë të dobëta dhe trajneri peqinas ka vendosur t’u komunikojë drejtuesve të klubit dorëheqjen.

Gugash Magani e kishte marrë drejtimin e Trepçes sezonin e kaluar. “Bashkë me skuadrën e kishim kohën e mjaftueshme për të reaguar, por kur nuk shkojnë rezultatet, trajneri duhet të largohet. Vendimin tim ua kam bërë të ditur edhe lojtarëve. Jam respektuar në Mitrovicë dhe mendoj se skuadra ka nevojë për një fytyrë të re”, - ka thënë për shtypin kosovar pas humbjes me Prishtinën trajneri Magani. Peqinasi e mbyll këtu aventurën në krye të Trepçes dhe me shumë gjasa do të kthehet në Shqipëri, ndërkohë që në kampionatin kosovar luajnë edhe dy djemtë e tij, sulmuesi Artur Magani me Feronikelin dhe mbrojtësi Endri Magani me Gjilanin.

Gugash Magani

Në futbollin shqiptar trajneri Magani ka drejtuar Shkumbinin, Flamurtarin, Teutën dhe Tiranën. Mbetet për t’u parë cila do të jetë e ardhmja e trajnerit peqinas, nëse ai do të marrë drejtimin e ndonjë ekipi në Superiore, apo mund të ketë një përvojë të dytë në Kosovë.

Pak kohë më parë ka lënë Kosovën edhe trajneri tjetër i njohur, Sulejman Starova, i cili drejtoi për pak kohë Feronikelin, ekipin që aktualisht udhëheq kampionatin. Vendin e dytë e mban Prishtina e Mirel Josës, me 27 pikë, 2 më pak se kryesuesit. Në Kosovë drejton edhe Shpëtim Duro, i cili mori pak kohë më parë drejtimin e Dritës, ekipit kampion në fuqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë