Lajme

“Letra”, njeriu përballë jetës së tij

Nga Luljeta Nelallari - Një natë e errët përzier me drita të forta vetëtimash... E mu në qendër të skenës së zbrazët, mësues Andrea, ulur në një karrige metalike, duke fishkëllyer lehtë një motiv muzikor. Në mes të zhurmave të shiut dhe vetëtimave, do të hyjë Marku, një bari i varfër, i pastrehë, me idenë se mësuesi do t’i ndriçojë jetën, duke kërkuar mirëkuptimin e tij.  

-Ma shkruaj një kërkesë zoti mësues. Kam nevojë për shtëpi. Ma shkruaj kërkesën. Po të rrëfej jetën time, dëgjoje jetën time...

Nën këto fjalë nis shfaqja “Letra”, shfaqja e parë për këtë vit në Teatrin Metropol, e cila me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës erdhi në skenë si bashkëproduksion i Teatrit Metropol dhe Teatro Koreja nga Leçe.

Një skicë teatrale, me tekst të Ylljet Aliçkës dhe nën interpretimin e aktorit Roerd Toçe rrëfen jetën e një burri malësor, duke i kërkuar një mësuesi të ardhur nga Tirana që jep mësim në një fshat në veri të Shqipërisë t’i shkruajë një letër për të përfituar një banesë.

Në skenë është vetëm Roerd Toçe, në një ndërthurje mësues dhe Marku, me kalime shumë të shpeshta nga njëri personazh në tjetrin. Monolog, dialog, monolog, dhe pastaj sërish dialog e monolog.

Marku duke lexuar letrën

Marku shkon te mësuesi duke i rrëfyer jetën e mësuesi shkruan kërkesën për të. Një kërkesë për Këshillin për një shtëpi të re për Markun. Në banesën që ai jetonte, i gjithë shiu hynte brenda, aq sa nuk kishte ndryshim në ishte jashtë apo brenda.

-Çfarë ke shkruar mësues? Lexoma letrën!

-Çfarë ke Mark?! Lexoma letrën, lexoma jetën!!!

E ndërsa mësuesi fillon të lexojë, fshatari i vetmuar përballet me jetën e vet, papritmas zbulon jetën e vet. Teksa i rrjedhin lotët, ndjehet i poshtëruar, i vjen keq për veten, ndien dhimbje.

Historia në dhomën e mësuesit vijon e gjatë, gati në përsiatje filozofike të jetës së njeriut në përgjithësi. Gjatë gjithë kohës, ai hyn e del me një letër në dorë dhe me një theks geg përsërit:

A ma lexon letrën teme? Jetën teme??!!

Më vonë, me të njëjtën letër sillet rrotull oborrit të shkollës derisa bëhet narrator i jetës së tij, ai dëshiron të mësojë, të lexojë dhe të shkruajë, ai dëshiron të blejë një alfabet. Objektivizon jetën e tij.

Roerd Toçe (mësues Andrea dhe Marku) gjatë shfaqjes

Një jetë e bazuar në një histori reale që shkrimtari Ylljet Aliçka e ka të përjetuar në kohën që ishte mësues në fshat.

“Është një histori reale. Ka ndodhur në një fshat të Shqipërisë, ku unë isha mësues, rreth moshës 25-26 vjeç. Personi që më vinte t’i shkruaja letrën e kishte emrin Mark”, thotë shkrimtari Aliçka për Gazetën “Si”.

Janë emocionet dhe ndjesitë që e përshkojnë të gjithë shfaqjen, pasi më në fund Marku arriti të hapet, të shprehet, të nxjerrë emocionet e jetës që nuk i kishte nxjerrë me asnjë.

E në tërë shfaqjen, Marku nuk e dorëzon letrën në Këshill, e ruan për vete. Në atë letër sheh dhe lexon dhimbjen e jetës së vet.

Shfaqja vjen gjatë gjithë kohës në një ndërthurje personazhesh, por si është realizuar ndërthurja në një personazh të vetëm? Aktori Roerd Toçe thotë se kalime të tilla kanë vështirësi të konsiderueshme.

“Duke qenë se kalimet janë shumë të shpejta, vështirësia është e konsiderueshme. Në prova me regjisorin, unë jam munduar të përfytyroj në mendjen time dy dyer kryesore dhe marr kohën time për të kaluar nga njëri personazh në tjetrin”, thotë Toçe për Gazetën “Si”, ndërsa vë në pah se mes personazheve ka një pikë të përbashkët që është reflektimi.

“Nuk ka shumë ngjashmëri midis Markut dhe Andreas, por kanë një pikë të përbashkët, reflektimi! Sa i përket keqardhjes, të dy kanë momentin e tyre, mësuesi nuk e kishte menduar kurrë seriozisht një gjë të tillë, duke pasur parasysh shkollimin dhe Marku nga ana tjetër në momentin e leximit të letrës, pavarësisht që e ndien një gjë të tillë për shkak të mënyrës se si është rritur (bari, pa shkollë, nuk di shkrim e këndim) nuk arrin ta artikulojë me fjalë këtë ndjesi, por i duhet ndihma e mësuesit që ta vërë re për herë të parë jetën e vet”, thotë aktori Toçe.

Sa i përket dhimbjes, keqardhjes për veten, aktori thotë se jemi munduar të jemi sa më pranë këtyre personave përmes reflektimit.

“Unë mendoj se të gjithë ne në këto kohë, kemi nevojë të viktimizohemi edhe po të jemi mirë. Në shfaqje jemi menduar mos ta nxjerrim këtë ndjesi, por të zgjojmë ndjenjën e empatisë për t’u zënë në vendin e këtyre personave për të menduar dhe për t’u ndier si ata, për të qenë kjo keqardhje jo një viktimizim, por një përfundim i arrirë pas një reflektimi të sinqertë, ndoshta dhe naiv”, thotë ai.

Duke iu referuar dhe kohës kur është shkruar ky tregim, shkrimtari Ylljet Aliçka thotë se kjo ndjesi është në çdo kohë dhe nuk ka natyrë ideologjike.

“Keqardhja për veten, hapja ndaj emocioneve është në çdo kohë. Kjo ka vlera universale, nuk ka natyrë ideologjike. Nuk është se ndikonte regjimi. Në gjithë rrëfimin është emocioni i hapjes, i të shprehurit, ndjesi që ai nuk dinte nëse do e shprehte me ndonjë njeri”, thotë Aliçka. 

Shfaqja “Letra” me regji nga Salvatore Tramacere do të jetë në skenë edhe më 1, 2, 7, 8, 9 shkurt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë