Futboll

Letra e hapur e kardiologut spanjoll për Duamenën: Vdiq dikush që NUK kishte defibrilator!

Gazeta Si - Ndarja nga jeta e Rafael Duamenës, pas atakut kardiak në ndeshjen me Partizanin, është komentuar shumë edhe në shtypin sportiv botëror, sidomos në ato vende ku ai ka luajtur, Spanjë, Austri dhe Zvicër.

Këtë mëngjes, në ‘Heraldo de Aragon’, një e përditshme e Saragozës, është publikuar një letër e hapur e kardiologut Antonio Aso Abadia, mjekut që e kuroi kur ganezi luante për Saragozën (huazim nga Levante) në 2019-n.

"E njoha Duamenën në tetor të 2019-s, – shkruan kardiologu, - kur mjeku i Saragozës më kërkoi një mendim, i shqetësuar ngaqë lojtarit i merreshin mendtë shpesh. Muaj më parë i ishte vendosur një minimonitor dhe ishte vënë re se kishte simptomat e një aritmie të theksuar ventrikolare që prodhohej gjatë ndeshjes".

"Rafael ishte një djalë i shkëlqyer, fisnik dhe me shikim të pastër, - tregon mjeku. - Vendosi defibrilatorin dhe iku nga Spanja. Kemi folur pak më pas, më kërkonte këshilla, që ia jepja me kënaqësi, edhe pse isha i bindur se nuk do të më dëgjonte. Donte me çdo kusht ta vazhdonte karrierën dhe e humba shpresën se do të influencoja në vendimet e tij".

"E bindëm për nevojën e defibrilatorit që të mos rrezikonte jetën dhe e këshilluam praktikimin e sportit në nivel professional. I thashë se në të ardhmen do ta rregullonim atë defekt, por që ta bëja duhej të ishte gjallë, ndaj dhe i duhej patjetër defibrilatori", shkruan më tej mjeku spanjoll.

Kardiologu spanjoll Antonio Aso Abadia

"Pastaj i humbëm kontaktet. Disa vite më parë më thanë se në një ndeshje defibrilatori i kishte shpëtuar jetën, duke ndalur një aritmi malinje. Një vit më parë mësova se e kishte hequr defibrilatorin, në Zvicër në mos gaboj”.

"Për gazetën zvicerane ‘Neue Zurcher Zeitung’, Duamena thoshte: "Nëse vdes, është për vullnetin e Zotit. Po shkoj dhe kaq, do të harrohem. Njerëzit që kam afër do të jenë të trishtuar për pak ditë, ndoshta për një javë, por do ta kalojnë dhe do të ecin përpara”.

Letra e mjekut Aso vazhdon: "Kishte vendosur ta linte jetën e tij në duart e Zotit, ku besonte verbërisht. Nga ai moment isha i ndërgjegjshëm se një ditë do të ndodhte tragjedia që ndodhi në Shqipëri".

"Rafaeli vdiq për pasojë të një vendimi personal, por nëse nuk do të kishte hequr defibrilatorin, sot do të ishte gjallë. Është fundi i trishtë i një historie të paralajmëruar. Ndonjëherë lajmet janë konfuze dhe duhet bërë e qartë për mijëra pacientë që mbajnë me besim në trupin e tyre një defibrilator. Nuk ka vdekur dikush që kishte defibrilator, por dikush që NUK e kishte”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë