Politike

Letra e bllokimit të Greqisë për Shqipërinë, Rama: Nuk besoj se do zgjasë, nuk do ishte serioze  

Në një intervistë dhënë për France24, kryeministri Edi Rama është pyetur për bllokimin që i ka bërë Greqia Shqipërisë përmes një letre drejtuar 27 vendeve në kuadër të hapjes së kapitujve të parë të anëtarësimit për në BE.   

“Unë nuk dua t’i futem kësaj polemike. Sinqerisht nuk besoj se ky bllokim do të qëndrojë, sepse nuk do të ishte serioze. Nga ana tjetër, është vetëm çështje e  drejtësisë. Nëse shikoni raportin e progresit, Shqipëria vlerësohet vërtet mirë për çështjet e reformës në drejtësi. Unë jam shumë i kënaqur sepse Shqipëria është vendi më i përparuar në të gjithë Ballkanin për këto çështje”, tha Rama.

Megjithatë në Shqipëri ndodhet edhe minoriteti grek afërsisht 1% të popullsisë. A shpresoni të pajtoheni me Greqinë?, ishte një tjetër pyetje

“Dëgjoni, me Athinën kemi marrëdhënie strategjike dhe nga ana tjetër, kur flisni për minoritet grek, dua të saktësoj sikurse e thatë, kandidati ishte shqiptar me origjinë greke, edhe kundërshtari i tij në zgjedhje ishte po ashtu shqiptar me origjinë greke. Atëherë s’mund të jetë një çështje minoriteti grek kjo!”, u përgjigj Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë