Keshilla

Lëreni çfarë thonë disa, martesa është e mirë për zemrën dhe mendjen

Edhe pse të gjithë e njihni të paktën një të martuar që thotë “Mos u marto”, një studim i ri nga Shkolla e Mjekësisë “Aston” ka treguar se në fakt martesa ju bën të jetoni më gjatë dhe është mirë për shëndetin e zemrës.

Ekipi hulumtues analizoi një milion të martuar. Nga ky studim doli se mbështetja që njerëzit marrin nga partneri, kontribuon në uljen e kolesterolit të keq në gjak dhe parandalon atakun e zemrës.

Studimi tregoi se njerëzit e martuar kanë një rrezik 4% më të ulët të vdekjes nga ataku i zemrës sesa beqarët.

Studiuesit kanë supozuar se merita e kësaj duhet të gjendet në mbështetjen fizike dhe psikologjike që dikush ka nga bashkëshorti ose bashkëshortja. Përveç kësaj, të martuarit shërohen lehtësisht pas një periudhe shtrimi në spital të lidhur me një problem të zemrës. Ata ndjekin terapitë në mënyrë efektive dhe me më shumë motivim.

Martesa është gjithashtu e mirë për shëndetin mendor pasi zvogëlon stresin emocional. Kjo konfirmohet nga një studim i botuar në Journal of Family Psychology në të cilin krahasohen martesa me bashkëjetesën. Doli se në një marrëdhënie bashkëjetese, njeriu është vazhdimisht nën presion psikologjik rreth marrëdhënies. Nga ana tjetër, martesa zgjidh gjithë dilemat që i ka bashkëjetesa dhe kështu personat relaksohen dhe jetojnë jetën e përditshme me partnerin e tyre.

Në trupin tonë ndodh që nivelet e kortizolit, që është hormoni i stresit, të zvogëlohen. Ky hormon është më i pranishëm tek  beqarët apo të divorcuarit. Si pasojë, ata që janë vazhdimisht nën stres rrezikojnë të sëmuren më lehtë sepse ulet mbrojtja imunitare. Sëmundjet kryesore ndaj të cilave janë të ekspozuar njerëzit e stresuar janë ato kardiake dhe onkologjike.

Gjithashtu një studim tjetër nga departamenti i shëndetit mendor në Kolegjin e Mjekësisë dhe Shkencave në Universitetin e Aberdeen ka treguar se burrat që martohen me një grua inteligjente kanë më pak rrezik të preken nga sëmundje neurodegjenerative si dementia. Kjo ndodh sepse në një marrëdhënie në çift me një grua inteligjente ka stimulim të vazhdueshëm, dëshirë për të bërë gjëra të reja, për tu përfshirë në aktivitete, për të krijuar apo dhe për tu krahasuar me të tjerët. Këto stimuj ndihmojnë për ta mbajtur trurin të ri dhe aktiv.

Burimi: Il Giornale. Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë