Futboll

Lenjani tremb kampionët e Zvicrës, Ajetin e “masakron” vëllai

Shqiptarët protagonistë në Zvicër. Në javën e 12-të të kampionatit, dy nga futbollistët e Kombëtares, Ermir Lenjani dhe Arlind Ajeti, ishin protagonistë, por në kahe të kundërt.

Lenjani ka shkëlqyer me Sionin në ndeshjen në transfertë ndaj kampionëve në fuqi të Jang Bojsit. Mbrojtësi i krahut të majtë shënoi golin e parë të ndeshjes, duke i dhënë avantazhin Sionit dhe më pas detyroi mbrojtësin Kamara të shkaktonte autogol. Por nuk ishte e thënë që skuadra e Lenjanit të merrte pikë, pasi në pjesën e dytë Jang Bojs, një kundërshtar me shumë kualitet, që udhëheq kampionatin, shënoi tre gola në portën e Sionit dhe ndeshja u mbyll 3-2. Pavarësisht humbjes, duhet theksuar se Lenjani ka bërë një paraqitje të shkëlqyer dhe ky është një lajm i mirë për trajnerin Panuçi para ndeshjes me Skocinë.  

Lenjani ndaj Jang Bojs

E kundërt ishte paraqitja për mbrojtësin Arlind Ajeti. Grasshopersi i tij është mundur 1-3 në shtëpi nga Bazeli i Taulant Xhakës dhe vëllait të Arlindit, Albion Ajetit, i cili luan për kombëtaren e Zvicrës. Ajeti luajti vetëm në 45 minutat e para, që u mbyllën me rezultatin 0-3. Mbrojtësi i qendrës po kalon një moment të vështirë që pas largimit nga Seria A dhe po vuan ashtu si Grasshopersi i tij, që ndodhet në vend të parafundit. Arlind Ajeti nuk është grumbulluar së fundi me Kombëtaren. Bazeli i Xhakës ka marrë një fitore të rëndësishme dhe tashmë mban vendin e dytë me 20 pikë.

Vëllezërit Arlind dhe Albian Ajeti, kur luanin bashkë te Bazeli

Ka shënuar këtë fundjavë edhe sulmuesi i Kombëtares U-21, Taulant Seferi, i cili po kalon një formë shumë të mirë. Seferi shënoi golin e barazimit 1-1 për Unterthurin në ndeshjen me Shafhauzenin në transfertë, në ligën e dytë zvicerane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë