Rend dhe Ligj

Lëmshi me Gjykatat, 2 vendime për Sakon e Durrësit. Basha: Drejt shtetit afrikan të falimentuar

Dy ditë më parë gjykata e rrethit gjyqësor të Durrësit refuzoi që të jepte mandatin e kryebashkiakes së Durrësit, pasi me një vendim të sajin gjyqtarja Mimoza Margjeka do të deklaronte se zgjedhjet ishin të paligjshme për shkak se subjekti politik “Bindja Demokratike” ishte regjistruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve jashtë afateve ligjore.
Por kur pritet që kandidatja socialiste, Valbona Sako fituese në zgjedhjet e 30 qershorit t’i drejtohet sipas afatit Gjykatës së Apelit të Durrësit, Partia Socialiste ka ndryshuar strategji dhe për çudi për të dytën herë i është drejtuar të njëjtës Gjykatë të Shkallës së Parë se Rrethit Gjyqësor Durrës.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i është drejtuar të enjten me një kërkesë Gjykatës së Durrësit, duke i kërkuar të njohë fituesen e Aleancës për Shqipërinë Evropiane në Bashkinë Durrës, Valbona Sako. “Vërtetimin e mandatit të Kryetarit të Bashkise Durrës, Znj.Valbona Sako, per zgjedhjet per organet e qeverisjes vendore (Kryetar Bashkie) të dates 30.06.2019, sipas Vendimit Nr.944, dt.05.07.2019 te KQZ-së”, ishte objekti i padisë së paraqitur më 18 korrik, dy ditë pas gjyqtarja Margjeka rrëzoi kërkesën e parë, e cila ishte bërë në emrin e kandidates Sako dhe jo të PS-së.
Shorti i hedhur i ra gjyqtarit Shpëtim Reka, i cili ditën e sotme ka pranuar kërkesën e paraqitur tashmë nga PS duke i dhënë mandatin e kryebashkiakes së Durrësit.
Për vendimin e dhënë nga gjyqtarja Margjeka, kandidatja socialiste Sako kishte deklaruar se do të bënte ankimim në Gjykatën e Apelit, por ky vendim i dytë mësohet se e kanë bërë që ajo të tërhiqet nga kjo tentativë.

Kërkesa e PS-së në gjykatën e Durrësit

Ndërsa mësohet se Partia Socialiste do të ndjekë të njëjtën strategji si me Sakon edhe me ato Gjykata që do të refuzojnë dhënien e mandatit për kryebashkiakët socialistë. Në të njëjtën skemë pritet të veprohet me kandidatin e Vorës, Agim Kajmaku ku gjykata refuzoi t’i jepte mandatin, por edhe për atë Finiqit. Ndërsa për marrjen e mandatin kërkesë ka bërë edhe kryebashkiaku Erjon Veliaj, për të cilin gjykatat nuk ka dhënë vendim akoma.

Gjyqtari rrëzon kolegen
Në vendimin e tij, gjyqtari Reka ka argumentuar edhe vendimin e mëparshëm të dhënë nga e njëjta Gjykatë, nga kolegia e tij Margjeka.
“Kërkuesi në rastin në shqyrtim është i ndryshëm nga ai në kërkesën e shqyrtuar në Vendimin dt.17 korrik 2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, ku kërkuese ka qenë Valbona Sako, ndërsa në këtë gjykim kërkuese është Partia Socialiste e Shqipërisë; Shkaku ligjor i kërkimit është i ndryshëm, pasi në kërkesë subjekti politik Partia Socialiste e Shqipërisë ka bazuar kërkimin e saj në interesin e ligjshëm si pjesë e koalicionit zgjedhor, të cilit i përket kandidatja fituese për Kryetare e Bashkisë Durrës dhe interesit politik të këtij subjekti për fillimin e ushtrimit të mandatit nga kandidati fitues përkatës; Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës nuk ka marrë formë të prerë, provuar nga Vërtetimi i Kryekretarisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Nga sa më sipër gjykata arrin në përfundimin se nuk ndodhemi në kushtet e „gjësë së gjykuar“ sipas nenit 451/a të K.Pr.Civile. Nga ana tjetër, neni 58 i K.Pr.Civile parashikon: „Kur në të njëjtën gjykatë ose gjykata të ndryshme shqyrtohen në të njëjtën kohë mosmarrëveshje midis të njëjtave palë dhe kanë të njëjtin shkak e të njëjtin objekt, vendoset pushimi i gjykimit të mosmarrëveshjeve të paraqitura pas asaj të regjistruar më parë”, thuhet në vendimin e dytë. Sipas gjyqtarit Reka për t’u ndodhur përpara „të njëjtës çështjeje“ (litispendenca) sipas këtij neni duhet të në të njëjtën gjykatë apo në gjykata të ndryshme të ndodhen për shqyrtim njëkohësisht dy ose më shumë çështje të cilat: - kanë të njëjtat palë; - kanë të njëjtin objekt kërkimi; - kanë të njëjtin shkak ligjor. Nëse këto kushte plotësohen njëherazi gjykata duhet të vendosë pushimin e gjykimit të çështjes/çështjeve të paraqitur(a) pas çështjes së parë. Mjafton një nga kushtet e mësipërme të mos përmbushet për të mos u ndodhur përpara „të njëjtës çështje në gjykim”.

Vendimi i Gjykatës së Durrësit


Bazuar në dispozitën e mësipërme Gjykata vlerëson se kërkesa për të cilën Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës është shprehur me Vendimin Nr.(11-201904127) 175, dt.17/07/2019 dhe kërkesa në këtë gjykim nuk përbëjnë „të njëjtën çështje“ sipas nenit 58 të K.Pr.Civile, pasi veç objektit të kërkimit (vërtetimi i mandatit të kryetarit të Bashkisë Durrës), si kërkuesit, ashtu edhe shkaku ligjor i kërkimeve janë të ndryshëm.
“Në përfundim të kësaj analize gjykata arrin në konkluzionin se nuk ekzistojnë pengesa procedurale që do të pengonin shqyrtimin nga ana e saj të kërkesës së Partisë Socialiste të Shqipërisë për vërtetimin e mandatit si Kryetare e Bashkisë Durrës të Znj.Valbona Sako. Pas këtij përfundimi gjykata çmon se prej saj duhet të shqyrtohet legjitimimi i Partisë Socialiste të Shqipërisë në paraqitjen e kërkesës për vërtetimin e mandatit të kryetari të bashkisë, kompetenca lëndore dhe tokësore e gjykatës dhe roli i saj në këtë proces”, thuhet në këtë vendim.


Ndërsa në këtë vendimin gjyqtari ka rrëzuar edhe argumentimin e vendimit të parë ku cilësohet se “Bindja Demokratike” është e paligjshme.
“Kjo do të thotë se verifikimi dhe nxjerrja e rezultateve të votimit, ligjshmëria dhe vlefshmëria e zgjedhjeve janë vetëm kompetencë e KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor dhe kurrsesi objekt shqyrtimi i gjykatës së rrethit gjyqësor në gjykimin e kërkesës për vërtetimin e mandatit të kryetarit të bashkisë sipas nenit 60/1 të Ligjit “Për Vetqeverisjen Vendore” Gjykata thekson se kompetenca e mësipërme funksionale e KQZ dhe e Kolegjit Zgjedhor, vjen në harmoni me gjithë parashikimet e tjera të Kodit Zgjedhor mbi funksionin dhe rolin e këtyre institucioneve. Kështu, të gjithë elementët që lidhen me plotësimin e kushteve të regjistrimit në zgjedhje të partisë politike (në koalicion ose jo) dhe kandidatëve përkatës për kryetar bashkie, verifikohen nga KQZ sipas parashikimeve të neneve 72 dhe 73 të Kodit Zgjedhor, insitucion ky nëpërmjet vendimit përkatës, i cili mund të ankimohet vetëm në Kolegjin Zgjedhor. Më tej, edhe procesi dhe rezultati i votimit verifikohet dhe nxirret vetëm nga KQZ nëpërmjet vendimit për miratimin e tabelave përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve dhe shpalljen e kandidatëve fitues sipas nenit 123 të Kodit Zgjedhor dhe në rast ankimi kjo vendimmarrje mund të shqyrtohet nga vetë KQZ si organ administrativ apo Kolegji Zgjedhor si organ gjyqësor. Por në asnjë rast kompetenca të tilla nuk i janë kaluar nga ligjvënësi gjykatës së rrethit gjyqësor që shqyrton kërkesën për vërtetimin e mandatit”, thuhet më tej në këtë vendim të siguruar nga Gazeta SI.
Referuar këtyre parashikimeve dhe terminologjisë e formulimit të nenit 60 të Ligjit gjykata arrin në konkluzionin se i vetmi element që duhet të analizohet prej saj në shqyrtimin e kërkesës për vërtetimin e mandatit të kryetarit të bashkisë është ekzistenca e vendimit të formës së prerë dhe përfundimtar të KQZ për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit për Zgjedhjet për Kryetar Bashkie Durrës.

Vendimi i parë që rrëzonte kërkesën e Sakos për dhënien e mandatit si kryetare të bashkisë


“Gjykata vendosi: - Pranimin e kërkesës së kërkuesit Partia Socialiste e Shqipërisë si pjesë e koalicionit zgjedhor Aleanca për Shqipërinë Europiane; - Të vërtetojë mandatin si Kryetare e Bashkisë Durrës të Znj.Valbona Simo Sako në zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019, sipas Vendimit Nr.944, dt.05/07/2019 të KQZ”, thuhet në vendimin final të gjyqtarit Reka.


Ndërsa pas këtij vendimi ka reaguar menjëherë kryedemokrati Lulzim Basha, i cili shprehet se kjo gjë vërteton se drejtësia është nën urdhrat e Edi Ramës.
“E gjithë drejtësia është nën kontrollin e plotë të Ramës. Vendimi i Gjykatës së Durrësit është vendimi i drejtësisë private që ka vendosur Edi Rama në Shqipëri. Ky shpartallim i sistemit të drejtësisë do të prodhojë për një kohë të gjatë pasoja të rënda për vendin dhe qytetarët. Nëse nuk e ndalim sa më parë Edi Ramën, Shqipëria do kthehet në një shtet tërësisht të falimentuar afrikan”, shkruan Basha në Facebok.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë