Para

Kredia konsumatore, individët mund ta marrin më lehtë

Në tremujorin e dytë të vitit, bankat lehtësuan standardet e kredisë konsumatore duke ofruar interesa më të ulëta dhe shuma më të larta, ndërsa janë më fleksibël me kolateralin që duhet lënë peng për të marrë një kredi.

Oferta në kredinë për individë ngelet e lartë dhe është  lehtësuar më shumë për segmentin e kredisë konsumatore, sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë.

Standardet në kreditë për blerjen e banesave nuk ndryshuan nga një tremujor më parë ndërsa standardet e kreditimit për individët u lehtësuan si pasojë e shtimit të konkurrencës në sistemin bankar.

Bankat raportuan marzhe më të ulëta interesi në kreditë normale dhe marzhe disi më të larta për kreditë e perceptuara si me rrezik më të lartë.

Kushtet joçmim, u raportuan më të lehtësuara, në sajë të shtimit të madhësisë së kredisë, kërkesave më të ulëta për kolateral në raport me kredinë e marrë, si edhe zgjatjes së maturitetit maksimal të kredisë.

Sipas bankave, ky lehtësim i kushteve dhe termave të kreditimit për individët ishte pasojë e perceptimit për rrezik më të ulët dhe e  një tolerance më të lartë të bankave kundrejt këtij rreziku nga një tremujor më parë.

Në tremujorin e tretë të vitit 2021, bankat presin t’i lehtësojnë më tej standardet e kreditimit për individët, sidomos në kreditë për blerjen e banesave.

Kërkesa e individëve për kredi gjithashtu ishte dukshëm më e lartë në tremujorin e dytë të këtij viti, nxitur nga kredia konsumatore dhe ajo në blerjen e banesave.

Në tremujorin e tretë të vitit bankat presin që të vijojë shtimi i kërkesës për kredi nga ana e individëve, si për blerjen e banesave, ashtu edhe për financimin e konsumit.

Portofoli i kredisë për individë arriti vlerën e 207 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej afërsisht 9% krahasuar me një vit më parë.

Rritja më e lartë është në segmentin e kredisë për blerje banesash, me 11%, ndërsa kredia konsumatore ka shënuar një rritje më të ngadaltë, me 5.2%.

Pasojat e krizës i ndjeu më shumë kredia konsumatore dhe ulja e konsumit u ndje menjëherë në ecurinë e saj. Ajo iu kthye rritjes në pjesën e dytë të vitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë