Champions League është skena e gëzimit dhe dhimbjes për çdo futbollist. Debutimi në këtë skenë, më e rëndësishmja në nivel klubesh, është një ëndërr, kurse fitimi i trofeut është mrekullia vetë. Nuk është aspak e lehtë, kur mendon se shumë lojtarë të mëdhenj, nga ata që i quajnë legjenda, nuk ia kanë dalë ta fitojnë Championsin, edhe pse mund të kenë lënë shenjë në të. Ka nga ata që e kanë parë nga shumë afër, por ka edhe nga ata që e kanë admiruar nga divani në shtëpi. Nuk është i domosdoshëm Championsi për ta quajtur një lojtar “legjendë”, por për të gjitha ata lojtarë që do të rendisim më poshtë, mbetet një plagë e hapur...
Ronaldo “Fenomeni”
Dy “Topa të artë”, dy Kupa Bote, një Kupë Kupash, një Kupë UEFA, një Interkontinentale, por asnjë Champions. Luis Nazario da Lima, për të gjithë i njohur si “Fenomeni”, nuk ka mundur të fitojë trofeun europian më të rëndësishëm. Gjithmonë në vendin e gabuar, në momentin e gabuar. As tek Interi dhe as te Reali braziliani nuk arriti ta fitonte Championsin.
Pavel Nedved
Një tjetër ”Top i artë” pa Champions League. Pavel Nedved i ka shkuar shumë afër, por në finalen e Mançesterit nuk ishte në fushë me Juventusin, për shkak skualifikimi. E ndoqi skuadrën e tij nga tribuna dhe në fund pa si trofeun e fitoi Milani. Mesfushori çek ka humbur mundësinë e vetme për të fituar kupën me veshë të mëdhenj.
Fabio Kanavaro
Kampion Bote në vitin 2006, “Topi i artë” për paraqitjen e jashtëzakonshme në Botëror, por pa Champions edhe Fabio Kanavaro. Madje në asnjë moment nuk e ka pasur shansin të tentojë ta fitojë, pasi skuadrat e tij kurrë nuk kanë shkuar në një finale. Edhe aktivizimi me Realin e Madridit nuk ia ka mundësuar mbrojtësit italian fitimin e një Championsi.
Xhanluixhi Bufon
Nëse ka një njeri që e di mirë çfarë do të thotë të humbasësh një finale Championsi, ai është pa dyshim Xhixhi Bufon. Ish-portieri i Juventusit ka qenë një hap larg lavdisë europiane tri herë. Herën e parë fitorja kalonte nga dorezat e tij për të shkuar te Milani. Më pas, pas shumë vitesh, dy finale të tjera në tre sezone dhe po dy zhgënjime të tjera kundër Barcelonës dhe Realit. Tani është në tentativën e fundit për këtë trofe, por me fanellën e PSG-së. Ku i dihet, Bufon mund të festojë me trofeun e Championsit në “Champs Elysees”
Zllatan Ibrahimoviç
Në karrierë ka fituar 11 tituj kampion dhe shumë e shumë trofe kombëtarë dhe një Europa League, por Championsin Zllatan Ibrahimoviç e ka parë vetëm nga larg. Edhe për të zgjedhje të gabuara. Kur ai la Interin për Barcelonën, zikaltrit fituan Championsin. Pastaj la Katalonjën dhe kaloi te Milani, ndërsa Mesi me shokë triumfonin kundër Mançesterit në vitin 2011. Edhe përpjekjet me PSG-në kanë qenë të kota për trofeun e madh europian.
Mikael Balak
Trofe kombëtarë sa të duash, kampionate gjermane dhe angleze, njëri mbi të gjithë, ai me Kaizerslauternin. Por në Champions edhe Mikael Balak nuk i ka pasur punët mirë dhe ka qenë vërtet pa fat. Ka humbur dy finale, të parën si lider i Bajer Leverkusen kundër Realit, një ndeshje që u vendos nga eurogoli i Zidane. Finalja e dytë e humbur është më e dhimbshme. Çelsi i tij shkoi 11 metra afër triumfit në ndeshjen me Mançester Junajtid, por kapiteni Terri rrëshqiti kur gjuajti dhe trofeu shkoi për kundërshtarin.
Rud van Nistelroi
A mjaftojnë 56 gola në karrierë në Champions League për të ngritur të paktën një herë trofeun? Jo, nëse quhesh Rud van Nistelroi. Holandezi ka qenë një tmerr për mbrojtjet kundërshtare me fanellën e Mançester Junajtid dhe Realit të Madridit, por nuk i është afruar kupës. Në sezonin 2002-2003, kur shënoi 12 gola në 11 ndeshje, Mançesteri shkoi deri në çerekfinale.
Përgatiti Fatjon Rupi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.