Mendim

Le të fillojnë Lojërat e Mëdha Ballkanike!

Nuk është thjesht Rusia kundër Perëndimit. Në tryezën maqedonase është ulur tanimë një lojtar i ri.

Nga Bruno Maçaes- Është një mëngjes tipik në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë ose, siç mund të njihet shumë shpejt kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut. U zgjova në një dhomat e gjumit të një galerie, pranë lumit Vardar dhe hoqa karrigen që kisha vendosur prapa derës një natë më parë. Pranë recepsionit dëgjoj dikë që mërmërit me zemërim mes një grupi njerëzish: "Mos u mashtroni. Kur të vijë koha do ta kalojmë Vardarin dhe pushtojmë Greqinë ".

Dal jashtë dhe gjëja e parë që shoh është Ura e Qytetërimeve dhe statujat e pafundme të të gjithë heronjve, të vërtetë dhe të shpikur, të historisë maqedonase. Kaloj nëpër sheshin kryesor të kryeqytetit, ku është vendosur statuja gjigante e Aleksandrit të Madh. Më pas u nisa drejt një hoteli ku takova Janko Bacev, kryetarin e Maqedonisë të Bashkuar, e vetmja parti pro-ruse në vend. Bacev po lufton kundër ndryshimit të emrit të vendit të tij. Së bashku me partitë e tjera të vogla, Maqedonia e Bashkuar do të bojkotojë referendumin e 30 shtatorit. Por vetë Bacev është gati të bëjë shumë më tepër se kaq. Ai është mik i Aleksandër Dugin, filozof dhe propagandist i njohur rus për lidhjet e tij me çdo lëvizje reaksionare në Europë. Truproja e Bacev më tregon se kur Dugin erdhi për të mbajtur një fjalim në Shkup, u pyet sesi do të reagonin bashkatdhetarët e tij ndaj përpjekjeve për ndryshimin e emrit të Rusisë. “Ne do të vrisnim këdo që do ta propozonte”, u përgjigj ai.

A është kjo një lojë e re e madhe midis Rusisë dhe Perëndimit?

Statuja e Aleksandrit të Madh në Sheshin Qendror në Shkup 

Ndryshimi i emrit është i rëndësishëm sepse hap rrugën për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Europian dhe shuan mosmarrëveshjet me Greqinë ndaj përdorimit të një toponimi që Athina e konsideron si të vetin. Marrëveshja e fundit midis dy qeverive solli më zgjidhjen e këtij ngërçi, me kusht që votuesit në referendum të jenë të bindur. Brukseli dëshiron ta kthejë Maqedoninë në një vend me norma perëndimore. Rusia nga ana tjetër po përpiqet gjithashtu të ndikojë në rezultatin e referendumit. Humbja e Malin e Zi pasi u bashkua me NATO në 2017, mund të konsiderohet si pakujdesi, por humbja e Maqedonisë do të ishte një fatkeqësi.

Një natë më parë, po shikoja nga afër protestat përpara parlamentit. Bacev ishte në radhët e para sigurisht. Ai filloi të provokonte policinë duke valëzuar një flamur rus dhe u përplas me disa prej oficerëve.  Ambasada e Federatës Ruse në Shkup është një fole spiunësh, pika e trete e një trekëndëshi që përfshin gjithashtu Beogradin dhe Sofjen. I udhëhequr nga Oleg Scherbak, një shok klase i Ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov, ambasada ka krijuar një makineri të fuqishme spiunazhi. Zyrtarisht ajo krenohet me pesë oficerë rusë të inteligjencës: një është i specializuar për çështjet e energjisë dhe dy që flasin në mënyrë të përsosur shqipen dhe u është ngarkuar “të merren” me shqiptarët e Maqedonisë.

Ditën tjetër takoj një ndër figurat kryesore politike që po lufton kundër ndryshimit të emrit. Ndërkohë që po pinim një kafe buzë lumit Vardar, Ljupço Palevski më thotë se Maqedonia është kthyer në fushëbeteje mes dy fuqive. Nga njëra anë, Perëndimi dhe nga ana tjetër ... Kina.

Një vajzë mban një pankartë me mbishkrimin “Emri i Maqedonisë nuk është në shitje”, gjatë protestave kundër referendumit në Shkup

“Kina apo Rusia?”e pyes me habi. "Rusia është muskuli. Mendja dhe paraja është Kina”, më thotë duke mos ia shqitur sytë lumit. "Kinezët dëshirojnë të ndërtojnë një rrugë-  shpjegon ai- Një rrugë të re mëndafshi midis Europës Qendrore dhe portit të tyre në Greqi. Mënyra e vetme për ta ndaluar këtë rrugë është krijimi i konfliktit në Ballkan".

Palevski pretendon se Perëndimi po planifikon një kërdi në vendin e tij, duke nxitur përpjekjet për ndryshimin e emrit, në mënyrë që të bllokojë projektin infrastrukturor “Një Rrip, një Rrugë”.

“Nëse Maqedonia lihet në kaos, Kina do të humbasë rrugën e vetme që ka për në Europë, sepse projekti mund të kalojë vetëm përmes tre vendeve, dhe si Shqipëria ashtu dhe Bullgaria janë tanimë pjesë e  NATO-s”, argumenton ai.

Palevski është më serioz dhe i rrezikshëm sesa Bacev. Përmendja e emrit të tij në Shkup u kujton të gjithëve se ai kishte në posedim të gjitha regjistrimet e paligjshme të bëra nga ish-kryeministri Nikola Gruevski. I “armatosur” me bisedat private të politikanëve, diplomatëve dhe zyrtarëve të lartë, Palevski i përdori shumicën e regjistrimeve kundër të gjithë zyrtarëve që tentonin të ekspozonin shkeljet e tij dhe të Gruevskit. Për këtë, ai u “shpërblye” me të paktën dy tentativa për vrasje dhe një vizitë në mes të natës nga shërbimet e inteligjencës.

Marshimi në mbështetje të referendumit mbi ndryshimin e emrit në Shkup

 Papritur gjatë bisedës tonë, Palevski nxjerr një kartë memorie nga xhepi i xhaketës dhe e lidh atë me telefonin, për të më treguar një bisedë midis një politikani të lartë maqedonas dhe një ambasadori të huaj, që thoshte se do të shkaktonte një tërmet politik më Maqedoni. Ndërkohë që përgjimi vijonte në sfond, Palevski sugjeroi se kinezët duhet të mbështesin partinë e re që ai po krijon.

Po atë ditë, vendosa të pyesja një agjent të shërbimeve europiane të inteligjencës që vepronte në Shkup, se çfarë mendonte për këtë propozim. Përgjigja e tij ishte se kinezët nuk do lidheshin kurrë më dikë si Palevski. Agjenti më rrëfeu se është më pak optimist se “zotërit e tij politik” në Bruksel, se Maqedonia do të ketë një të ardhme europiane. “Kina po rrit ndikimin e saj ekonomik këtu, ndërkohë që Rusia ka një qëllim të mirëpërcaktuar në mendje: të mos e pengojë Maqedoninë të hyjë në klubin perëndimor, por të sigurohet se nuk do të ketë sukses pas anëtarësimit”, më rrëfeu ai.

Nëse maqedonasit pranojnë emrin e ri, Maqedonia e Veriut do të nisë një proces të gjatë drejt anëtarësimit në BE. Do të hapen kapitujt e negociatave. Ekipe të mëdha do të mbërrijnë nga Brukseli dhe do të mbushin të gjitha dhomat e galerisë së Vardarit. Ata do të takohen me ministra dhe burokratë për të negociuar rregullat e prokurimit, reformat dhe ligjet. Por ndërkohë, në hije, do të hapen të tjera negociata, spiunët dhe politikanët maqedonas do të vazhdojnë të takohen fshehurazi dhe në Shkup të vazhdojnë të rrjedhin para nga organizata sekrete. /Politico.Eu/ 

*Bruno Maçães, është ish-ministri i jashtëm i Portugalisë dhe këshilltar i lartë në institutin britanik “Flint Global” . A është gjithashtu pjesë e Institutit Hudson në Uashington.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë