Pasi Vetëvendosje bëri publik propozimin e saj për koalicionin qeveritar, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka paraqitur skemën dhe kushtet e saj për formimin e qeverisë.
Në një deklaratë zyrtare, LDK-ja thotë se i ja dorëzuar me shkrim VV-së propozimin e saj për bashkëqeverisje, të propozuar në takimin e datës 8 janar 2020.
Sipas draftit të bërë publik LDK kërkon që:
- LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Sipas saj, kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një post të lartë shtetër (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy poste të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin).
- Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët, me këto përjashtime:
a) Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
b) Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komuniteteve jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim. - Si rezultat i kësaj marrëveshje deri në zgjedhjen e Presidentit VV do të ketë Kryeministrin, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri. Ndërkohë LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri.
5 Pas zgjedhjes së Presidentit, të propozuar nga LDK-ja, VV do të ketë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe 5 ministri. Ndërsa LDK do të ketë Presidentin si kandidat të saj të propozuar (por që si President vepron si faktor unifikues sipas Kushtetutës), si dhe Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe 5 ministri.
Ky propozim i LDK-së hedh poshtë skemën e propozuar nga Kurti, i cili nuk pranon të “dorëzojë” postin e kryetarit të Kuvendit.
Në përpjekje për të arritur sa më parë një marrëveshje për formimin e qeverisë, Albin Kurti i ka propozuar Lidhjes Demokratike të Kosovës rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14, duke i dhënë LDK-së gjashtë ministri, Vetëvendosjes pesë dhe minoriteteve tre.
Edhe pse ka rritur numrin e ministrive, Kurti duket se nuk është tërhequr nga posti i Kryetarit të Kuvendit, i cili edhe sipas skemës së re i takon LDK-së.
“Kryeministri, kryetari i Kuvendit, zv.kryeministri i dytë, një nën-kryetar Kuvendi, 5 ministri do t’i takonin VV-së”, thuhet në këtë propozim.
Ai ka ofruar që LDK të ketë zv,kryeministrin e parë, post që sipas raporteve do t’i shkojë Vjosa Osmanit, nënkryetarin e parë të Kuvendit, 6 ministri dhe dy zv.ministra më shumë se LVV.
Kurti ka hapur po ashtu rrugë për çështjen më të rëndësishme për LDK-në: postin e Presidentit. Ai është pajtuar që Mustafa të propozojë kandidatin për President i cili sipas VV-së plotëson të gjitha kushtet dhe të gjitha kriteret kushtetuese.
“Nëse, për çfarëdo arsye nuk zgjeidhet Presidenti, atëherë LDK do ta marrë një ministri shtesë”, thuhet në propozim. Ndërkohë VV e quan të mbyllur çështjen e kryeparlamentarit dhe nuk e ridiskuton më.
Që nga e enjtja e javës së kaluar Kurti dhe Mustafa nuk kanë pasur asnjë takim dhe negociatat duket se janë bllokuar sërish. Nga LDK nuk ka asnjë reagim mbi këtë propozim të fundit të VV.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.