Futboll

Largim para kohe, Kukësi mbyll kontratën me sulmuesin boshnjak

Kukësi është një ekip i krijuar nga e para me largime dhe afrime të shumta lojtarësh, këtë sezon. Dhe pasojat e kësaj zgjedhje janë shfaqur në lojën e skuadrës dhe rezultatet në këto javë të para. Duket se pas këtyre problemeve sidomos në fazën e sulmit kanë filluar të eliminuarit e parë dhe kjo ende pa filluar merkato e Janarit. I pari që largohet nga ekipi verilindor është sulmuesi Haris Harba. Lajmin e largimit të boshnjakut e ka njoftuar vetë klubi që ka bërë me dije se 30-vjeçari nuk do të jetë më pjesë e skuadrës për vijimin e kampionatit

“Futboll Klub Kukësi zyrtarizon mbylljen e bashkëpunimit me Haris Harban. Sulmuesi ka ndërprerë me mirëkuptim marrëveshjen me Kukësin. Boshnjaku, i cili u bashkua me ekipin tonë gjatë merkatos së verës regjistroi 11 aktivizime në të gjitha kompeticionet, duke realizuar 2 gola. Klubi falënderon Haris Harban për kontributin e dhënë me fanellën tonë dhe i uron njëkohësisht suksese në karrierë.”- shkruhet në njoftimin e shpërndarë në mediet sociale nga klubi i Kukësit.

Trajneri i Kukësit, Armando Cungu gjatë verës kur mori drejtimin e ekipit lëshoi kritika të ashpra për mënyrën se si ishin bërë blerjet, por gjithsesi vazhdoi duke thënë se do të përpiqet që ta rregullojë gjendjen në merkaton e dimrit. Kukësi momentalisht është në vendin e 5-të në renditje, duke marrë vetëm 1 pikë në dy ndeshjet e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë